Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Shkodër, ka bllokuar 124 kg mish, për shkak se ishin pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, AKU, bën me dije se përveçse bllokimit të mishit, ka pasur gjithashtu gjoba të vlerave të larta që arrijnë totalin 600,000 lekë.
Përveç gjobave të vendosura AKU ka bllokuar edhe dy biznese. Bllokimi i bizneseve ka ardhur si pasojë e mos regjistrimit të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Kontrollet e AKU-së u bënë në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR tek ruminantët e vegjël, për gjetjen e shkeljeve ligjore në tregtinë e mishit.
Njoftimi i plotë
Mbi kontrollin dhe masat e marra ndaj shkeljeve ligjore në tregtimin e mishit
Në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR tek ruminantët e vegjël
Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm për monitorimin e situatës së sëmundjes së ruminantëve të vegjël (PPR), trupa inspektuese/monitorese e AKU-së, Drejtoria Rajonale Shkodër, gjatë kontrolleve të ushtruara në datat 21 dhe 22 qershor 2025, konstatoi në kushtet e flagrancës shkelje të rënda të kërkesave ligjore në katër subjekte me aktivitet tregtimi mishi.
Detajet e kontrolleve dhe masave të marra:
Më datë 21.06.2025:
Subjekti 1 – Tregtim mishi
Shkelja: U bllokuan 2 karkasa qingji, në total 12 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
Masa administrative: Gjobë në vlerën 100,000 lekë, bazuar në Ligjin nr. 87/2012 dhe Aktin Normativ nr. 4, datë 16.08.2012 “Për përcaktimin e rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre”.
Subjekti 2 – Tregtim mishi
Shkelja: U bllokua 1 karkasë qingji, në total 7 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
Masa administrative: Gjobë në vlerën 100,000 lekë, në bazë të të njëjtit legjislacion.
Më datë 22.06.2025:
Subjekti 3 – Tregtim mishi
Shkelja: U bllokua mish në sasi 75 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Subjekti ishte gjithashtu i paregjistruar në QKR.
Masat e marra:
Bllokimi i aktivitetit tregtar
Gjobë në vlerën 200,000 lekë
Subjekti 4 – Tregtim mishi
Shkelja: U bllokua mish në sasi 30 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Subjekti ishte gjithashtu i paregjistruar në QKR.
Masat e marra:
Bllokimi i aktivitetit tregtar
Gjobë në vlerën 200,000 lekë
Përmbledhje:
Numri total i subjekteve të kontrolluara me shkelje: 4
Sasia totale e mishit të bllokuar: 124 kg
Destinacioni i mishit të bllokuar: Asgjësimi
Vlera totale e masave administrative (gjoba): 600,000 lekë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson rëndësinë e zbatimit rigoroz të kërkesave ligjore në lidhje me sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik dhe do të vijojë kontrollet intensive në të gjithë territorin për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe standardet ligjore në tregtimin e produkteve me origjinë shtazore.