Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj ka fituar “Topin e Artë”, për të dytin vit radhazi. Çmimin për fituesin e “Topit e Artë” e dhuroi presidenti i FSHF, Armand Duka.
Për këtë çmim, ishin të nominuar katër futbollistë, Bekim Balaj, Mario Dajsinani, Dejvi Bregu dhe Baton Zabërgja.
“E tepruam pak ne shkodranët sonte. Realisht dua ta nis me një falenderim për djemtë e ekipit kombëtar, që na kanë bërë krenar të gjithë shqiptarët, na kanë bërë që të ëndërrojmë për Botërorin. Meqë jemi te kombëtarja dua të falenderoj misterin tim Gianni De Biasi, më ka bërë që të vesh fanellën kombëtaren. Synimi tani është të fitojmë titullin kampion te Vllaznia”,tha ai.
Megi Doçi fiton “Topin e Artë” për vajza për vitin 2025.
“Besoj se u rikthye në duart e asaj që i përkiste. Çdo Top, çdo Këpucë e Artë ka emocionet e saj, sakrificat e saj, shumë djersë, shumë punë, mungesë në familje”. Falënderoj Vllazninë, familjen time. Nuk harroj presidentin e FSHF për mbështetjen për futbollin e femrave. E di që shumë gazetarë kanë pritur që të ndryshohet emri im, por ja ku jam sërish, prapë jam këtu”, u shpreh ajo.
Doçi zbuloi edhe diçka që i mbetet peng.
“Diçka më mbetet peng, pasi në lojë ndaj Real Madrid meritoja lojtare e ndeshjes dhe më mbetet peng që do doja të konkurroja për Topin e Artë në botë”, tha Doçi.






