Teksa gdhihej 20 janari, Polizia e Reggio Emilias në Itali ka goditur një organizatë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, e cila ishte aktive prej vitesh në territorin italian dhe jashtë tij.Me urdhër të Gjykatës së Bolonjës, AntiMafia italiane ka arrestuar nëntë persona: tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian. Ata dyshohen se janë pjesë e një strukture të organizuar kriminale të dedikuar trafikut të lëndëve narkotike. Prokuroria e Bolonjës bën me dije se me arrestimet e fundit është goditur maja e organizatës. Forcat e rendit kryen arrestime dhe kontrolle në disa provinca, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, por edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit të policisë sw Reggio Emilia-s, në koordinim me qendrën e Interpolit e në bashkëveprim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri.
Sipas hetimeve, organizata kishte ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm furnizimi dhe shpërndarjeje droge. Kokaina, hashashi dhe marijuana vinin nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja. Ato transportoheshin drejt Italisë të fshehura në kamionë me ngarkesa frutash dhe perimesh dhe më pas shpërndaheshin në tregun vendas përmes korrierëve.

Një element kyç i hetimit ka qenë përdorimi i platformës së koduar SkyECC për komunikimet mes anëtarëve të grupit. Analiza e bisedave, e realizuar nga autoritetet franceze, ka lejuar hetuesit të rindërtojnë strukturën e organizatës, rolet e secilit prej tyre dhe lidhjen e vazhdueshme mes episodeve të trafikut.

Vetëm në gjashtë muaj monitorimi, grupi dyshohet se ka trafikuar mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1.000 kilogramë hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime që llogariten në miliona euro. Bisedat e përgjuara tregojnë se të dyshuarit diskutonin hapur çmimet, dorëzimet e mallit dhe madje edhe sekuestrimet e kryera nga policia.

Të hetuarit janë gjithsej pesëmbëdhjetë. Përveç nëntë të arrestuarve, tre prej të cilëve u gjetën në Itali, në territorin kombëtar janë kryer edhe shumë kontrolle të deleguara nga Prokuroria e Republikës së Bolonjës, me pjesëmarrjen e 50 punonjësve të Policisë së Shtetit.

Gjatë kontrolleve në provincën e Brescia-s, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë pasi iu gjetën mbi dy kilogramë marijuanë, një kilogram hashash dhe 5.800 euro para në dorë, të dyshuara si të ardhura nga shitja e drogës.

Operacioni “STURL ONE” është vazhdim i hetimeve TREXIT 2019 dhe BLACK MAMBA, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 çuan në 35 masa arresti. Ato kishin zbuluar praninë e disa grupeve kriminale në Reggio Emilia që bashkëpunonin mes tyre për furnizimin dhe shpërndarjen e drogës.

Në rastin e hetimit TREXIT 2019, u zbuluan tre shoqatave kriminale, njëra prej të cilave e përbërë nga persona me origjinë marokene, e quajtur “grupi i Rubiera-s”, e përkushtuar ndaj shitjes me pakicë të kokainës. Më pas hetimet zbuluan dy grupe të tjera kriminale, të përbëra nga shtetas shqiptarë, të cilat me kalimin e kohës ishin alternuar në furnizimin me sasi të mëdha kokaine të destinuara për grupin e Afrikës së Veriut.

Njëra nga këto shoqata drejtohej nga një shtetas shqiptar që banonte në Itali, por që shpesh kryente udhëtime jashtë vendit dhe në vendin e origjinës, dhe që vepronte si përfaqësues/referent i shoqatës për sa i përket furnizimit me kokainë në territorin e Emilja-Romanjës, që prej vitit 2018.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu