Prefektura e Qarkut Shkodër informon qytetarët mbi situatën aktuale në territorin e Shkodrës dhe njësitë përreth, si pasojë e reshjeve intensive dhe rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit të Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), pas monitorimit të vazhdueshëm dhe vlerësimit të situatës hidrologjike, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe Hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Që prej orëve të pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe e Liqeni i Shkodrës.
Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente. Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 40–50 cm, çka vështirëson kalimin e mjeteve të vogla.
Në terren janë angazhuar 2 mjete me kalueshmëri të lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët ndodhen në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.
Situata në akset rrugore malore:
- Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.
- Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra; qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.
Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të situatës, duke garantuar koordinim dhe siguri për qytetarët.






