Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër- Muriqan”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin L. H., 52 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. B., 70 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë të dy drejtuesit e automjeteve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. G., 68 vjeç, banues në Velipojë, pasi kishte zënë një hapësirë në plazh publik, në Velipojë, duke vënë pa lejen përkatëse, disa lojëra për pushuesit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-T. M., 58 vjeçe, banuese në fshatin Baks-Rrjoll, pasi është kapur duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 29 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.