Dy të rinj janë arrestuar dhe pesë të mitur janë vënë nën hetim nga Policia e Shkodrës, pas një përplasjeje masive të ndodhur një ditë më parë para shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka”, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Në pranga kanë rënë shtetasit Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç. Ndërkohë, procedimi penal ka nisur në gjendje të lirë për pesë të mitur, katër prej të cilëve janë 17 vjeç dhe një 16 vjeçar. Burime zyrtare bëjnë me dije se njëri nga 17-vjeçarët e proceduar është i riu që shfaqet në pamjet filmike të publikuara, i veshur me xhup të kuq, i cili dyshohet se ka goditur me thikë dy bashkëmoshatarë gjatë konfliktit. Në njoftimin zyrtar për mediat, Policia e Shkodrës sqaron se: këta shtetas, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe, si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:10, përpara hyrjes së shkollës, në një kohë kur nxënësit duhet të ishin në proces mësimor. Pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruara nga vizionplus tregojnë momentin kur tre nxënës afrohen drejt portës së shkollës nga një rrugicë anësore, ndërsa pas tyre vjen një grup tjetër djemsh. Konflikti përshkallëzohet menjëherë në përplasje fizike, ku përdoren grushte dhe sende të forta. Dy të miturit e plagosur, të cilët janë vëllezër dhe nxënës të shkollës “Shejnaze Juka”, ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë marrë ndihmën mjekësore të nevojshme. Rrethanat dhe motivet e sakta të konfliktit mbeten ende të paqarta, ndërsa Policia e cilëson ngjarjen si një sherr për shkaqe banale dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të saj.






