Shëngjin
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kamuflimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Identifikohen 4 shtetas që shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike, në zonat e frekuentuara nga pushuesit, në Shëngjin.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 prej tyre, punohet për kapjen e tjetrit.
Sekuestrohen doza kokaine dhe kanabisi, kanabis në trajtë çokollate, MDMA, ekstazi, kërpudha haluçinogjene, 1 automjet dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Kamuflimi”. Si rezultat i operacionit:
– u arrestuan në flagrancë shtetasit kosovarë A. G., 21 vjeç, E. T., 28 vjeç, të dy banues në Kosovë, dhe shtetasi francez S. B., 43 vjeç, banues në Francë;
-u shpall në kërkim shtetasi kosovar A. G., 30 vjeç, banues në Kosovë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike në zonat turistike të Shëngjinit.
Gjatë kontrollit fizik, 3 shtetasve të arrestuar iu gjetën doza të lëndëve narkotike.
Nga këqyrja e celularëve të sekuestruar, u gjetën komunikime të këtyre shtetasve për organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.