Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër/Bashkëpunim me Policinë malazeze, me moton “Kufij të hapur, por të sigurtë!”
Në kuadër dhe për zbatim të protokollit të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Malit të Zi, në ambientet e SPK Hani i Hotit, u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të Policisë Kufitare të DVKM Shkodër dhe Policisë Kufitare të Podgoricës dhe Plavës.
Fokus i këtij takimi ishin rritja e sigurisë në të dy anët e kufirit, intensifikimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi i veprimeve, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Gjithashtu, në fokus të diskutimeve të këtij takimi, ishte edhe marrja e masave të përbashkëta për përballimin e sezonit të ri turistik, aspekt i cili përbën një prioritet të punës së të dy policive, me objektiv kalimin ligjshëm, të sigurtë dhe të lehtësuar të shtetasve, produkteve dhe shërbimeve.
Përfaqësuesit e të dy policive shprehën bindjen dhe gatishmërinë që bashkëpunimi tejet efektiv që ka qenë deri më tani, në nivel qendror dhe vendor, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Malit të Zi, të intensifikohet më tej, si dhe të vazhdojë të prodhojë rezultate më pozitive dhe më të prekshme për qytetarët e të dy vendeve.






