Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme ndryshimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Ky amendim i ligjit vjen pak para nisjes së sezonit dhe është bërë me qëllim që të ulet niveli i ndotjes akustike në zonat turistike dhe ndarjen e kompetencave mes institucioneve, se cili do të ketë përgjegjësinë për monitorimin e nivelit të ndotjes në përputhje me parametrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky ligj do të kalojë në Kuvend për miratim javët në vijim dhe më pas do të detyrojë të gjitha bashkitë që të përcaktojnë hartën e zhurmave. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro shpjegoi se bashkitë duhet të përcaktojnë, zonat e banuara në të cilat nuk do lejohet asnjë lloj aktiviteti me zë të lartë pas orës 00:00, si edhe zonat në të cilat do lejohet muzika pas orës 00:00. Ministrja tha se monitorimi i këtyre bizneseve do të jetë përgjegjësi direkte e policisë bashkiake dhe sipas saj kështu i jepet fund hedhjes së përgjegjësisë nga një institucion tek një tjetër.

Monitorimi i nivelit të ndotjes akustike, Kumbaro tha se do të bëhet me mjete certifikuese kontrolluese të akredituara nga OBSH. Po ashtu me këto mjete do kenë mundësi që të kontrollohen edhe zhurma të tjera në zona të ndryshme të bashkive. Gjatë sezonit turistik, muzika lejohet nga ora 12:00 e drekës deri në 00:00 dhe në përputhje me hartat që do përcaktohen nga bashkitë, policia do të ketë kompetencë për monitorimin dhe ndëshkimin e aktiviteteve që nuk i zbatojnë rregullat sipas zonave të përcaktuara në hartë.

“Miratuam amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Është një punë 1-vjeçare por edhe si rezultat i vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik ku një nga shqetësimet e mëdha që kishin bizneset, pushuesit ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së shpërndarë në lokale bare restorante e hotele. I dhamë zgjidhje një probleme të akumuluar prej vitesh. Duke filluar nga ky sezon me miratimin e ligjit në javët në vijim, do kemi kontroll më të rreptë të ligjit dhe fasha orare më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë sa i përket kontrollit me mjete të certifikuara për të kontrolluar ndotjen akustike, oraret por edhe një detyrë të re për bashkitë, që kanë detyrimin të përcaktojnë hartën e zhurmave, për të përcaktuar qartë zonat e banuara, krejtësisht të qeta, zonat ku janë larg banesave dhe ku mund të zhvillohen aktivitete zbavitëse me muzikë, sikurse do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave mes policisë bashkiake që do vazhdojë të kontrollojë dhe do pajiset me mjete certifikuese kontrolluese të akredituara edhe për lloje të tjera të zhurmave që mund të krijohen nga biznese të ndryshme në territore të ndryshme të bashkive.

Një ndarje më të qartë për ti dhënë fund topit që hidhej sa te mjedisi, policia, të gjitha institucionet e kanë shumë të qarta. Fashat orare për sezonin e verës, aktivitete muzikore do jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës, në përputhje me hartat policia do të marrë kompetencat për të monitoruar dhe ndëshkuar aktivitetet që nuk i zbatojnë”, tha ministrja Kumbaro.  Normat e muzikës nuk kanë qenë të kontrolluara në përputhje me parametrat e OBSH, kemi pasur urdhëresa dhe akte nënligjore por nuk ka qenë e qartë kompetenca se kush e kontrollonte limitin e muzikës, ky ligj e kontrollon këtë. Bashkitë duhet të përcaktojnë se kush janë ato zona që mund të lejohen aktivitete me muzikë me zë të lartë edhe përtej kësaj zone, që duhet të jenë larg zonave ku banohet. Kjo do sjellë një riorientim në territore të tjera dhe në tipologjinë e aktiviteteve që do kryejnë”, tha Kumbaro.  

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu