Krahas autoambulances, për herë të parë këtë sezon veror në Shëngjin është vënë në funksion edhe një motoambulancë, e cila do të qëndrojë në gatishmëri pergjatë 24 orëve për t’iu përgjigjur rasteve emergjente.
Kjo risi vjen si një zgjidhje praktike për të kapërcyer vështirësitë e trafikut të rënduar, i cili është i zakonshëm gjatë sezonit turistik.
Koordinatori i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Lezhës, Ledion Prendi, bën me dije se motoambulanca është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme mjekësore për të ndërhyre në raste urgjencash, duke përmirësuar ndjeshëm kohën e reagimit të bluzave të bardha. Gjatë sezonit të kaluar, numri i thirrjeve në urgjencën e Lezhës kaloi mbi 1 mijë, çka nxiti nevojën për rritjen e kapaciteteve të reagimit, ku vendosja në funksion e motoambulancës është një hap i rëndësishem për të garantuar sigurinë dhe shërbimin e shpejtë shëndetësor për qytetarët dhe pushuesit në Shëngjin.