Zhvillimet e fundit në kampin qeveritar duket se kanë krijuar një pështjellin në radhët e partisë më të madhe në vend.

Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit ku ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tashmë është zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar, por edhe dorëzimi i mandatit nga ana e Taulant Ballës si kryetar i grupit parlamentar të PS-së për shkak të  emërimit të tij në krye të Ministrisë së Brendshme, kreu i socialistëve ka thirrur sot Asamblenë Kombëtare të PS-së.

Por Rama nuk do të ndalet me kaq, pasi menjëherë pas Asamblesë në dy ditët në vijim ai ka parashikuar dhe një mbledhje maratonë dyditore të kabinetit të tij qeveritar. Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, me shumë gjasë ministrat e tij duket se do t’i shpëtojnë valës së ndryshimeve në verë.

Kryeministri Edi Rama mësohet se do të zhvillojë me 27 dhe 28 korrik mbledhjen e përvitshme me ministrat, të raportimit për punën që kanë kryer gjatë këtyre tetë muajve.

Dhe kësaj here ajo do të mbahet në Tepelenë. Puna e çdo ministri do të analizohet pas ato të paraqesin mbi raportin mbi objektivat e arritura.

Praktika ka treguar se vetëm pas kryerjes së kësaj analize, Rama mund të ketë ndërmarrë vendime për ndryshime në kabinetin qeveritar.

Nisur nga këto zhvillime, Asambleja e PS-së që mbahet pasditen e sotme do të fokusohet vetëm në analizën e zgjedhjeve lokale të 14 majit, të cilat u përmbyllën me votimet e së dielës që lamë pas me garën në Bashkinë e Rrogozhinës, ku kandidati i majtë Edison Memolla fitoi për herë të dytë përballë kandidatit të djathtë Shkëlqim Hoxha.

Analiza e zgjedhjeve do të jetë edhe vlerësim për 12 të deleguarit politik të qarqeve.

Zgjedhjet e 14 majit shënuan një fitore të 58 bashkive, duke fituar për herë të parë bastionet e demokratëve si Shkodra dhe Tropojën.

PS ndërkohë që pas emërimit të Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, i duhet të gjejë edhe një kryetar të grupit parlamentar të PS-së. Aktualisht këtë detyrën e ushtron zv.kryetari Toni Gogu.

Fjala e kryesocialistit Edi Rama pritet të shihet edhe si një sinjal mbi zhvillimet më të fundit brenda kampit të mazhorancës, e cila është tronditur së fundmi nga kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj me 3 akuzat për korrupsion.

Nga kjo Asamble do të kuptohet nëse Rama do të kërkojnë ndryshimin ose jo të qeverisë në shtator, kur nis dhe sesioni i ri i Parlamentit./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu