Kombëtarja shqiptare fitoi 2-0 kundër Bullgarisë në “Air Albania”. Miqësorja e zhvilluar pasditen e së martës u vendos nga golat e Qazim Laçit dhe Ernest Muçit. Pas 73 vitesh kuqezinjtë fitojnë kundër Bullgarisë. Ky është suksesi i parë i Sylvinhos në një miqësore me kuqezinjtë, teksa drejtonte një të tillë për të parën herë.
Pas suksesit 3-0 kundër Çekisë po në Tiranë për grupin E të Euro 2024, Shqipëria rezervon një tjetër sukses në “Air Albania”. Mes më shumë se 19 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, u duk se në fushë ishte Brazili dhe jo Shqipëria, me trajnerin që i ka dhënë një dozë nga vendlindja ekipit.
Paçka se Sylvinho kishte bërë gjashtë ndërrime nga ndeshja e fundit zyrtare, në fushë lojtarët treguan se janë të gatshëm për një fanellë titullari. Ndeshja nisi me kontrollin e tanëve, që patën disa raste dhe kontrolluan lojën.
Duhej minuta e 41-të që Qazim Laçi të zhbllokonte ndeshjen pas një aksioni model dhe me pasime tiki-taka. Në pjesën e dytë trajneri bëri disa zëvendëime, teksa debutoi Marvin Çuni. Në minutën e 81-të ishte Ernest Muçi që shënoi një supergol nga afro 25 metra, duke e kthyer në ves shënimin e golave të bukur te kuqezinjtë.
Tanimë tanët janë me mendje në nëntor, kur luajmë dy ndeshjet e fundit për Euro 2024 në grupin E, kundër Moldavisë në 17 dhe Ishujve Faroe në 20 nëntor në Tiranë. Kujtojmë se një pikë në transfertën moldave na çon direkt në fazën finale të Europianit.
Me Sylvinhon në krye, Shqipëria ka siguruar 5 fitore, një barazim dhe një humbje. 13 gola kanë shënuar kuqezinjtë, teksa kanë pësuar vetëm tre. Duket se dora e trajnerit është ndjerë në ekipin kombëtar.