Ekspertiza balistike e kryer nga laboratori i policisë Shkencore mbi dy armët e dorëzuara nga Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani, ka vërtetuar se janë lodra.
Ky është konkluzioni i ekspertëve, të cilët njoftuan prokurorinë dhe avokatët mbrojtës se arma tip pistoletë “Glock” dhe një automatik nuk janë në gjendje teknike të qëllojnë predha por dy sende e dorëzuara konsiderohet si armë lodra me ajër.
Ky dokument u paraqit dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë, me shpresën e ndryshimit të masës së sigurisë për dy të arrestuarit lidhur me dhunimin e Vladimir Bruçit.
Por Gjykata e Apelit Tiranë, nuk e konsideroi si provë domethënëse, pasi në të njëjtën ditë të zhvillimit të gjyqit në Apel, SPAK, nga ana tjetër vendosi ti komunikojë Sakicaj dhe Troshanit masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e dy vëllezërve Prendi në muajin Gusht në Vaun e Dejës.
Dy dosje që bëjnë fjalë për 2 ngjarje të rënda kriminale janë bashkuar në një të vetme, pas indiceve të forta se fshihen anëtarët e të njëjtit grup kriminal në Shkodër.
Bëhet fjalët për ngjarjen e 30 Tetorit 2024 në Dobraç, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe ngjarjen tjetër atë të ndodhur në muajin Gusht 2024, në zonën e Vaut të Dejës, ku gjatë një shkëmbi të shtënash, u tentua të vriten dy vëllezërit Andrea dhe Sandër Prendi.