Në pesë muajt e parë të vitit 2025, Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar mbi 2.2 milionë euro për mbulimin e pagave dhe përfitimeve të tjera të 140 deputetëve. Kjo shumë përfshin pagat bazë mujore, por edhe një sërë përfitimesh të tjera që i bashkëngjiten detyrës së tyre. A2 CNN ka zbardhur se për çfarë kanë shpenzuar më shumë deputetët në këta 5 muaj; nga karburanti te shpenzimet telefonike, dietat apo banesat.

Paga zyrtare mujore e një deputeti në Shqipëri, pas rritjes së bërë në maj të vitit 2023, është 310,000 lekë (rreth 3,100 euro). Por kjo është vetëm baza. Përveç saj, një deputet përfiton  rreth 1500 në muaj në formën e rimbursimeve dhe dietave për funksione të ndryshme.

Shpenzimet mujore përfshijnë:

– Karburantin, i cili llogaritet mes 30,000 dhe 40,000 lekë në muaj (rreth 300–400 euro).

– Shpenzimet telefonike të rimbursuara nga Kuvendi, që arrijnë deri në 200 euro në muaj për disa deputetë, veçanërisht kryetarët e komisioneve parlamentare.

– Dietat për udhëtime brenda vendit, që mund të shkojnë deri në 150,000 lekë në muaj (rreth 1,500 euro), varësisht nga aktivitetet dhe pjesëmarrjet në komisione apo vizita në zonat elektorale.

– Për deputetët që nuk kanë banesë në Tiranë, Kuvendi mbulon deri në 35,000 lekë në muaj për qira. Aktualisht janë 21 deputetë që përfitojnë këtë subvencion.

Kjo do të thotë se, në total, kostoja reale mujore për një deputet arrin nga 3,600 deri në mbi 4,000 euro, varësisht përfitimeve që ai deklaron dhe kërkon të rimbursojë.

Megjithatë, ka edhe përjashtime. Disa deputetë, si Sali Berisha dhe Lulzim Basha, kanë deklaruar se që nga shtatori 2024 nuk kanë përfituar asnjë shtesë përtej pagës bazë, duke refuzuar karburantin, qiranë dhe dietat. Edhe deputetë si Fatmir Xhafaj, Lindita Nikolla, Agron Shehaj, Bujar Leskaj dhe Pandeli Majko rezultojnë të kenë qenë të kujdesshëm në raport me shpenzimet shtesë, duke mos dorëzuar fatura për dieta apo udhëtime.

Sipas burimeve nga administrata e Kuvendit, figura si Klotilda Bushka (Komisioni i Ligjeve), Mimi Kodheli (Komisioni për Politikën e Jashtme), Jorida Tabaku (Komisioni për Ekonominë), Ina Zhupa dhe Zheni Gjergji përfitojnë deri në 20,000 lekë në muaj për shpenzime telefonike, si dhe dieta të shtuar për shkak të angazhimeve në komisione apo takimeve ndërkombëtare.

Ndërkaq, Kuvendi vijon të mbulojë qiranë për 21 deputetë që kanë deklaruar se nuk kanë banesë në Tiranë. Ndër ta janë figura si Niko Peleshi, Nusret Avdulla, Saimir Korreshi, Greta Bardeli dhe Antoneta Dhima.

Sipas A2, shqetësimi qëndron te fakti se nuk ka asnjë mekanizëm për të verifikuar vërtetësinë e deklaratave të tyre. Një rast i veçantë është ai i deputetit Agron Gjekmarkaj, i cili rezulton si një nga më “modestët” në përdorimin e telefonisë, me shpenzime mujore që variojnë nga 2,000 në 7,000 lekë, shumë më pak se kolegët e tij që arrijnë në 17,000 deri në 20,000 lekë në muaj./ A2

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu