Emigracioni shqiptar vijon të mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe socio-ekonomike për vendin, duke ndikuar drejtpërdrejt si në zhvillimet e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet me vendet pritëse. Sipas vlerësimeve të INSTAT, diaspora shqiptare arrin në 2.2 milionë  individë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 1.1 milionë janë meshkuj dhe rreth 1milionë  femra.

Të dhënat tregojnë se diaspora shqiptare ka një profil kryesisht të ri dhe ekonomikisht aktiv. Rreth 77 % e emigrantëve i përkasin grupmoshës 15–64 vjeç, ndërsa 18 %janë fëmijë dhe vetëm 5 % janë mbi 65 vjeç. Ky shpërndarje demografike tregon një potencial të lartë kontributi në tregjet e punës dhe ekonomitë e vendeve pritëse, por njëkohësisht thekson sfidat që përballet Shqipëria për sa i përket humbjes së forcës aktive të punës.

Emigracioni i shqiptarëve është i lidhur ngushtë me pozicionin gjeografik të vendit dhe me historinë e lëvizjeve përgjatë shekujve. Diaspora shqiptare paraqitet heterogjene, si në aspektin kohor të migrimit, ashtu edhe në origjinën rajonale. Bashkësitë më të hershme shqiptare janë arbëreshët në Itali dhe arvanitët në Greqi, të cilat përbëjnë dëshmi të hershme të pranisë shqiptare jashtë kufijve.

Sipas të dhënave të censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2021 për vendet e Evropës, rreth 1.1 milionë individë të lindur në Shqipëri rezultojnë rezidentë të zakonshëm në 31 vende evropiane. Ndërkohë, statistikat mbi shtetësinë tregojnë se rreth 939 mijë shtetas shqiptarë jetojnë po në këto vende. Italia, Greqia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kryesojnë listën e shteteve me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, duke konfirmuar rolin kyç të këtyre vendeve si destinacione kryesore të emigracionit shqiptar. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara presin migrantët më të arsimuar (pothuajse një e treta me arsim të lartë), të ndjekura nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu