Drejtoria e Policisë Rrugore
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, nisur dhe nga fluksi i madh i automjeteve që qarkullojnë në akset kombëtare dhe ato urbane, Drejtoria e Policisë Rrugore ka intensifikuar masat monitoruese duke përdorur dronë dhe mjete inteligjente shpejtësimatës.
12 makina inteligjente, 16 radarë automatikë, 6 dronë të cilësisë së lartë dhe dragera për parandalimin e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur do të monitorojnë 24/7 akset rrugore në të gjithë vendin.
Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, gjatë inspektimit në terren për të parë nga afër implementimin e këtyre masave, ka kërkuar nga punonjësit e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe që të kenë parësore parandalimin e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, drejtimin e automjeteve dhe motomjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe ato parkime që bëhen shkas për bllokim të lëvizjes duke krijuar radhë e kaos në trafik.
Drejtor Qato, gjatë një prononcimi, ka apeluar për të gjithë drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes për shkak të fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë, kjo edhe për shkak të ardhjes së shumë qytetarëve që jetojnë e punojnë përkohësisht jashtë vendit. Ai ka kërkuar që të tregojnë durim në raste kur lëvizja ngadalësohet për shkak të fluksit dhe që drejtuesit e motomjeteve, çiklistët dhe ata që lëvizin me monopatina, gjatë natës, të mbajnë veshur jelek fosforeshent për të shmangur ngjarjet rrugore.
Drejtori i Policisë Rrugore ka apeluar edhe për këmbësorët që të jenë sa më të kujdesshëm, të kalojnë në vijat e bardha, në mbikalime dhe vende të dedikuara për këmbësorë dhe të jenë vigjilentë kur kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin në ato akse rrugore ku mungojnë mbikalimet për qytetarët.
Policia Rrugore nuk ka aspak qëllim në vetvete vendosjen e masave administrative, por ka parësore sigurinë e jetës në rrugë dhe garantimin e lëvizjes së lirë të automjeteve dhe qytetarëve në rrugët e vendit, dhe kjo është arsyeja që janë intensifikuar masat.
Drejtor Qato ka uruar gjithë përdoruesit e rrugës për festat e fundvitit dhe i ka ftuar që të bashkëpunojnë me Policinë Rrugore që bashkërisht të kontribuojmë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
✅ Zbatoni rregullat e trafikut për të shmangur aksidentet.
🙏 Jeta është e shtrenjtë, mbrojeni atë!
#Denonconinë112çdoshkeljetëregullavetëqarkullimitrrugor
#KontribuoDheTiNëSigurinëeJetës 🚦