Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar këtë të shtunë, 25 tetor, punimet për projektin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) që ka në fokus mirëmbajtjen estetike të akseve rrugore në të gjithë vendin.
“Sot jemi duke inspektuar komplet një proces të ri që ARRSH ka nisur. Duke qenë se ne kemi prej kohësh kontratat e mirëmbajtjes me performancë, siç quhen, dhe bëhen të ndara sipas rajoneve për të mirëmbajtur të gjitha ato akse rrugore, të cilat mbarojnë kohën e garancisë, kemi vënë re që tashmë, duke u shtuar kilometrat e akseve kombëtare, Shqipëria është kthyer në një pikë të madhe turistike, ku vijnë vizitorë nga e gjithë bota. Për këtë arsye, në vitin 2023 ARRSH ka futur në fushën e saj të përgjegjësisë edhe mirëmbajtjen estetike të akseve kombëtare.”, tha Balluku.
Sipas drejtuesve të ARRSH-së, çdo rajon ka 25 punonjës të dedikuar për mirëmbajtjen estetike, ndërsa në rang kombëtar janë angazhuar rreth 120 punonjës. Në kuadër të projektit, në akset rrugore kombëtare parashikohet të mbillen pemë dhe të krijohen hapësira të gjelbërta që përmirësojnë pamjen dhe mjedisin përgjatë rrugëve.
“Bimësia duhet të jetë një bimësi që nuk ka nevojë për vaditje të vazhdueshme”, tha Balluku.
Ministrja u ndal edhe tek aspekti i pastrimit të rrugëve, pjesë integrale e mirëmbajtjes estetike.
“Drejtuesit shqiptar të automjeteve sillen më mirë se kushdo drejtues tjetër. Por ne kemi edhe shumë makina me qera gjatë periudhës së verës, megjithëse turizmi në vendin tonë është kthyer në katër stinësh. Kështu që edhe pjesa e pastrimit është pjesë e mirëmbajtjes estetike, apo jo? Kështu që kemi zgjidhur edhe një problematikë tjetër.”, tha ministrja.
Sipas ministres, kjo nismë është pjesë e vizionit për ta bërë Shqipërinë jo vetëm një vend me infrastrukturë funksionale, por edhe me rrugë që reflektojnë standardet estetike dhe turistike të një destinacioni europian.






