Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për ndërtimin e segmentit rrugor “Milot-Balldre” duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm ndaj edhe procedura e koncesionit është anuluar. Rama iu përgjigjet pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale, ku veçoi pyetjen e një komentuesi se kur do të ndërtohet ky segment rrugor.
“E kemi shpjeguar dhe rishpjeguar. Është në proces, ne i kemi të gjitha gati, por na duhet transprencë, na duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm. Për këtë arsye edhe procesi është anuluar dy herë në mos gabohem, apo tre herë”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se sapo të kemi kontratën e lidhur në mënyrë të rregullt dhe të plotë do të fillojmë edhe këtë segment. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar në 14 korrik procedurën e koncesionit për ndërtimin e segmentit rrugor “Milot-Balldre” me vlerë 364.7 milionë euro dhe kohëzgjatje 35 vjet. Arsyeja e anulimit është pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushi kërkesat e procedurës konkurruese.
Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre. Autostrada e re Milot-Balldre parashikohet të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian. Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët. Gjerësia e saj do të jetë nga tre korsi në të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.