Përkeqësohet ndjeshëm situata në fshatin Obot, në Njësinë Administrative Ana e Malit. Gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e rritjes së shkarkimeve nga hidrocentralet, sipërfaqja e tokave të përmbytura në zonën e NënShkodrës është zgjeruar ndjeshëm.
Aktualisht, rruga që lidh Obotin me pjesën tjetër të territorit është bërë e pakalueshme, jo vetëm për mjetet civile, por edhe për automjetet e ushtrisë, pasi niveli i ujit në disa segmente të saj ka kaluar mbi 1 metër. Në këto kushte, banorët kanë mbetur të izoluar dhe e vetmja mënyrë komunikimi dhe lëvizjeje janë varkat, të cilat janë rikthyer sërish në përdorim, ashtu si në përmbytjet e viteve të mëparshme.
Ndërkohë, ndonëse situata në terren paraqitet e rënduar dhe me rrezik për banorët, autoritetet vendore të emergjencave civile nuk e pasqyrojnë tërësisht realitetin. Sipas burimeve nga zona, niveli i ujit dhe vështirësitë reale të banorëve nuk raportohen në mënyrë të plotë, duke minimizuar shkallën e përmbytjes dhe izolimin total të fshatit.
Banorët e Obotit kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe informacion të saktë mbi situatën, ndërsa frika për përkeqësim të mëtejshëm mbetet e lartë, nëse shkarkimet dhe reshjet vijojnë edhe në orët në vijim.






