Me një fond total limit 770 mln lekë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hapur dy tenderë për ndërtimin e linjave të reja elektrike dhe përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me energji në zonat malore në veri të vendit, me fokus në Malësinë e Madhe dhe zonën e Tamarës.
Projekti i parë parashikon ndërtimin e një linje të re 35 kV nga Nënstacioni Vukpalaj/Hani i Hotit deri në Tamarë, me një gjatësi prej rreth 20 kilometrash, si dhe ndërtimin e një nënstacioni të ri 35/10 kV në Tamarë. Ai synon të rrisë kapacitetin e shpërndarjes dhe sigurinë e furnizimit me energji, duke mbështetur zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Projekti i dytë ka në fokus ndërtimin e një linje të re 35 kV me dy qarqe nga Nënstacioni 220 kV Koplik deri në Vukpalaj dhe degëzimin drejt Hanit të Hotit, me një gjatësi rreth 15 kilometrash. Sipas dokumenteve të tenderit, investimi do të mundësojë furnizim më të qëndrueshëm dhe do të krijojë kushtet për ndërtimin e nënstacionit të ri në Tamarë.
Të dy projektet synojnë të zëvendësojnë linjat ekzistuese, të ndërtuara mbi 40 vite më parë dhe tashmë të amortizuara, ku ngarkesa gjatë dimrit arrin deri në 90% të kapacitetit. Kjo pritet të sjellë jo vetëm përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me energji për banorët, por edhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe bizneseve në zonat malore të Malësisë së Madhe.