Lufta ndaj kultivimit të kanabisit mbetet ende një sfidë për institucionet shtetërore. Objektivat për të zeruar fenomenin ndër vite janë shpallur si prioritete të punës, por në realitet është dëshmuar se harta e kultivimit nuk ka ndryshuar. Në tryezën e task forcës për kanabisin në prefekturën e Shkodrës u pranua se viti 2022 shënoi rritje të sipërfaqes së kultivuar. Rrugët e reja që po ndiqen nga grupet griminale janë ato të shtëpive të barit.
“Në 2021, 102 raste të kultivimit të zbuluar 25% dhe janë referuar 111 persona, 79 autorë, 46 të arrestuar, 19 në kërkim. Në 2022 ishin 191 raste, krahasuar me 2021 kemi më shumë rrënjë në vitin 2022. 80% territorit i përket bashkisë Shkoder,” tha Majlinda Angoni, prefekte e qarkut Shkodër.
Drejtori i policisë së Shkodrës Ervin Hodaj bëri një rezyme të situatës që gjeti në qark, ku shqetësuese janë rastet e shpërndarjes dhe përdorimit të drogës në afërsi të shkollave.
Krimi ka më shumë para dhe mjete të sofistikuara, është kjo një prej pyetjeve që lind shpesh, sa herë ai avancon në terren. Por numri një i policisë së Shkodrës ishte i qartë kur tha se kapacitetet e policisë janë të afta ta përballojnë.
“Kemi hapa konkrete për goditjen e kultivimit dhe trafikimin e kanabisit në mënyrë që të mos jemi në hartën e kuqe.Një nga shqetësimet që kam hasur është përdorimi i kanabisit. Janë konstatuar 30 shpërndarës në afërsi të shkollave, mosha mesatare 22 dhe më i vogli 15. Kjo ndodh nga prania e lëndëve narkotike në vendet ku jetojmë. Shitet droga në shkolla e lokale për të nxjerrë fitime. Dhe këto fitime duhen për të paguar avokatin për t’i nxjerrë nga burgu. Duhet të kërkojmë një zgjidhje më të mirë dhe më afatgjatë. Duhet të thyejmë këtë cikël që ekziston në qarkun tonë për dhjetra vjet. Në 2022, 65 takime sensibilizuese, janë proceduar penalisht 7 inspektorë pyjesh dhe 19 punonjës të OSHEE,” tha ai.
Ervin Hodaj, Drejtor i policisë së Shkodrës
I pyetur për ardhjen e DEA-s amerikane në vendin tonë, drejtori Hodaj tha se nuk ka informacion.Në 2022-in, janë organizuar 65 takime sensibilizuese, proceduar penalisht 7 inspektor pyjesh dhe 19 punonjës të OSHEE. Ky detaj përplasi drejtorin e policisë me atë të OSHEE, pasi ky i fundit u shpreh se nuk ka dijeni për këto veprime të policisë. Në mbyllje të takimit u pranua se duhen çasje të reja operimi për parandalimin dhe monitorimin e situatës në Dukagjin dhe zona të tjera të thella malore.






