Komiteti i Mbrojtjes Civile ka marrë një sërë masash për të përballuar situatën ndaj zjarreve. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se bashku me zëvendëskryeministren njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mblodhën Komitetin e Mbrojtjes Civile për të mobilizuar të gjithë trupën dhe zinxhirin e reagimit të emergjencave civile në nivel kombëtar.
‘Në kushtet kur parashikohen temperatura të larta përgjatë gjithë javës, dhe ndërkohë që përpjekjet vijojnë në shumë fronte nga veriu në jug të vendit, ndamë planin e masave me të gjithë titullarët e institucioneve të përfshira në mekanizmin e mbrojtjes civile, prefektët e qarqeve dhe kryetarët e Bashkive më të ekspozuara ndaj zjarreve”, theksoi Vengu.
Vengu bëri të ditur se do të ketë rritje të nivelit të gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve; rritje e vigjilencës dhe monitorim i pandërprerë i terrenit në çdo bashki për raportim të menjëhershëm; pozicionim i forcave në zonat me risk për të shkurtuar kohën e reagimit. Ministri vëngu informoi se ndërhyrja nga ajri do të vijojë me përparësi në zonat e banuara dhe zonat e mbrojtura.
Gjithashtu, shtoi Vengu, do ët ketë bashkërendim me mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për kapacitete shtesë.
Komiteti i Mbrojtjes Civile është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon veprimtaritë dhe masat ndërinstitucionale të strukturave dhe të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile, duke përfshirë Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Urgjencën Kombëtare, Shërbimet Pyjore, Zonat e Mbrojtura, Autoritetet e Transportit; Meteorologjinë etj.