Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme ka marrë gjithsej 95 kërkesa zyrtare nga autoritete të huaja për hetime që lidhen me shtetas shqiptarë të dyshuar për përfshirje në grupe kriminale jashtë territorit të Shqipërisë. Ky numër shënon një rritje me 25 letërporosi krahasuar me vitin 2024. Rritja e kërkesave lidhet me nevojën e autoriteteve ndërkombëtare për më shumë informacion brenda territorit shqiptar, në kuadër të hetimeve ndaj shqiptarëve të përfshirë në aktivitete kriminale jashtë vendit. Sipas të dhënave, zgjerimi i aktivitetit të këtyre grupeve në rajone të reja, përfshirë Amerikën Latine, veçanërisht në trafikun e kokainës, ka ndikuar në shtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Nga 95 kërkesat e mbërritura gjatë vitit 2025, 68 janë ekzekutuar nga autoritetet shqiptare, ndërsa 27 të tjera vijojnë të jenë në proces. Sipas raportit vjetor të SPAK, vonesat në disa raste lidhen me kompleksitetin e hetimeve dhe numrin e madh të veprimeve procedurale që kërkohen të kryhen. Belgjika rezulton vendi që ka dërguar numrin më të madh të kërkesave, me 24 në total, duke përbërë më shumë se një të katërtën e të gjitha letërporosive të ardhura nga jashtë. Kjo lidhet edhe me faktin se portet belge konsiderohen pika të rëndësishme hyrëse për kokainën që vjen nga Amerika Latine, ku sipas hetimeve ndërkombëtare operojnë edhe rrjete kriminale të drejtuara nga shqiptarë. Pas Belgjikës renditen Gjermania me 16 kërkesa, Italia me 15 dhe Franca me 10. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda kanë paraqitur nga 5 kërkesa secila. Spanja ka dërguar 4 kërkesa, Kosova 3, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumania dhe Greqia nga dy kërkesa secila. Nga një kërkesë kanë ardhur edhe nga Norvegjia, Suedia, Maqedonia e Veriut, Luksemburgu, Bullgaria dhe Çekia. Në të njëjtën kohë, SPAK ka dërguar edhe kërkesa për ndihmë juridike drejt vendeve partnere. Gjatë vitit 2025 janë dërguar 156 letërporosi, pak më pak krahasuar me 163 të dërguara në vitin 2024. Më shumë se një e treta e këtyre kërkesave janë përmbushur, ndërsa pjesa tjetër është ende në proces. Franca kryeson listën e vendeve që kanë marrë më shumë kërkesa nga SPAK, me 55 letërporosi. Bashkëpunimi me autoritetet franceze ka qenë veçanërisht i rëndësishëm për analizimin e komunikimeve të platformës së koduar SkyECC, të cilat kanë ndihmuar në goditjen e disa organizatave kriminale. Pas Francës renditen Holanda me 12 kërkesa, Italia me 8 dhe Kosova me 7. Belgjika, Greqia dhe Zvicra kanë marrë nga 6 kërkesa secila. Ndërkohë, Gjermania, Mali i Zi, Ekuadori dhe Spanja kanë marrë nga 5 kërkesa. SPAK ka kërkuar gjithashtu bashkëpunim edhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Brazili me nga 4 letërporosi secili. Austria dhe Kolumbia kanë marrë nga 3 kërkesa, ndërsa Sllovakia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia nga 2. Nga një letërporosi është dërguar edhe drejt Danimarkës, Bullgarisë, Portugalisë, Serbisë, Çekisë, Luksemburgut, Polonisë, Qipros, Republikës Domenikane, Kanadasë, Perusë dhe Paraguait.






