Jo vetëm lëkundjet sizmike, por edhe përmbytjet janë një kërcenim serioz për Shqipërinë. Ky rrezik shtohet edhe më tepër si rezultat i infrastrukturës mbrojtëse të vjetruar, e cila është mbi 60 vjeçare, pasi ato janë të ndërtuara pas përmbytjeve katastrofike të dimrit 1962-63.

Sipas një strategjie të bërë nga Ministria e Mbrojtjes për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë thuhet se duhet të bëhen ndërhyrje të menjëhershme në rehabilitimin e argjinaturave dhe në riparimin e digave.

“Një vlerësim i bërë për gjendjen teknike të 626 digave, rezultoi në përfundimin se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), shfaqin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente”, thuhet në strategjinë e ministrisë.

E njëjta situatë problematike paraqitet edhe për argjinaturat lumore, të cilat  kanë nevojë për riparime dhe rindërtime.

“Përsa i përket mbrojtjes nga përmbytjet, nga 850 km argjinatura lumore dhe detare, rreth 300 km argjinatura kanë nevojë për riparim, rehabilitim, rindërtim, apo ridimensionim për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në dekadat e fundit”, vijon më tej raporti.

Kontribut negativ në dëmtimin e infrastrukturës kulluese dhe ujitëse nuk kanë pasur vetëm fatkeqësitë natyrore, por edhe njerëzit, pasi janë evidentuar një sërë ndërtimesh në infrastrukturën mbrojtëse.

“Situata pritet të përkeqësohet më tej për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat janë pasqyruar në fenomene ekstreme të motit. Vlerësohet se ka një numër të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet. Urbanizimi dhe ndërhyrja njerëzore nga njëra anë, degradimi natyror nga ana tjetër, kanë bërë që shumë prej infrastrukturave mbrojtëse të jenë jashtë funksionit ose gjysmë-funksionale, në një mjedis ku frekuenca, ashpërsia dhe shpërndarja gjeografike e përmbytjeve janë në rritje”, thuhet në raport.

Përveç faktit që në diga duhet të ishte ndërhyrë më parë, në strategji evidentohet si problem edhe fakti që vendi ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të siguruar të dhëna paralajmëruese për përmbytjet.

“Duhet theksuar gjithashtu se siguria e projektimit të argjinaturave në vitet ’60, mbi bazën e plotë me një periudhë përsëritjeje nga 10 deri në 35 vjet, është më e ulët, me përllogaritje të plota bazuar në seritë aktuale, të cilat japin vlera të tjera. Përveç kësaj, kapacitetet teknike dhe operacionale të institucioneve shqiptare për parashikimin, monitorimin dhe paralajmërimin e të dhënave hidro-meteorologjike konsiderohen ende të pamjaftueshme dhe nuk janë bërë investime në sistemin e paralajmërimit të hershëm”, pohohet në strategji.

Për të forcuar dhe rritur nivelin e menaxhimit të riskut nga përmbytjet, Shqipëria po harton dokumentin e Planit të Menaxhimit të Riskut të Përmbytjeve të përbërë nga 3 komponentë:

1. Vlerësimin Paraprak të Riskut nga përmbytjet që çon në identifikimin e zonave ku ekziston risku i mundshëm i përmbytjeve ose ka të ngjarë të ndodhin përmbytje;

2. Hartat e rrezikut dhe hartat e riskut nga përmbytjet;

3. Planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet.

Një tjetër ndërhyrje që duhet bërë ka të bëjë me nevojën për modernizim dhe rehabilitim të rrjetit të stacioneve të motit, mirëmbajtje të rregullt të pajisjeve, lidhje të rregullta të besueshme në internet, staf të ri të kualifikuar, si hidrologë dhe meteorologë dhe dixhitalizim të dhënave me qëllim përmirësimin e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm të Shqipërisë.

Objektivat kryesore për mbrojtjen nga përmbytjet që duhen arritur brenda një periudhe 9- vjeçare janë:

1. Zvogëlimi i dëmeve nga përmbytjet dhe dëmeve në më pak se 50% të asaj që ka ndodhur vitet e fundit;

2. Rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës së dëmtuar dhe ku ka risk shembjeje;

3. Ndërtimi i veprave të reja mbrojtëse aty ku është e nevojshme;

4. Trajnimi i personelit të institucioneve përgjegjëse për ujitjen dhe kullimin në drejtim të monitorimit, projektimit, ndërtimit dhe riparimit të infrastrukturës mbrojtëse;

5. Forcimi i kapaciteteve të përgjigjes së forcave operacionale ndaj përmbytjeve.

Disa nga masat paraprake që duhet të ndërmerren për të menaxhuar dhe parandaluar përmbytjet e për pasojë edhe dëmet që ato shkaktojnë katë të bëjnë me vlerësimin e mbrojtjes shtesë nga përmbytjet e nevojshme në zonat me risk të mesëm dhe të lartë nga përmbytjet dhe duhet të organizohet ndërtimi i kapaciteteve të personelit në strukturat përgjegjëse për ujitjen dhe kullimin. Po ashtu kërkohet të merren masa për vlerësimin e riskut si për përmbytjet ashtu edhe për thatësira, hartografimi, paralajmërimi i hershëm dhe sistemet e parashikimit.

Ndërhyrjet që do të bëhen për të shmangur përmbytjet
– Menaxhimi i integruar ndërkufitar i riskut nga përmbytjet në basenin e lumit Drin, me kosto 642,430 USD (UNDP).
– Zbutja, zvogëlimi i pasojave të mundshme negative të përmbytjeve me kosto 2,000,000 EURO. Fondet do të sigurohen nga buxheti i shtetit me investime të brendshme dhe të huaja.
– Vlerësimi i riskut nga thatësira me kosto 500,000 euro.
– Vlerësimi i riskut nga përmbytjet dhe paralajmërimi i hershëm me kosto 1.2 milion euro.
– Rritja e sigurisë së digave të rezervuarëve të ujitjes, nëpërmjet rehabilitimit/rindërtimit të digave ekzistuese me kosto 171 milionë USD me burim buxhetin e shtetit me investime të brendshme dhe të huaja.
– Rritja e sigurisë së mbrojtjes nga përmbytjet e lumenjve, nëpërmjet rehabilitimit/rindërtimit të argjinaturave ekzistuese dhe ndërtimit të strukturave të reja me kosto 276.8 milionë USD me burim buxhetin e shtetit me investime të brendshme dhe të huaja.
– Rritja e sigurisë së objekteve të trashëgimisë kulturore ndaj riskut të përmbytjeve – “Restaurimi dhe ndërtimi i sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet të Xhamisë së Plumbit (Mehmet Paşe Bushatlliu) në Shkodër”, me kosto 4,000,000 EUR – Qeveria e Turqisë / Buxheti Kombëtar.
– Forcimi i kapaciteteve të përgjigjes të forcave operacionale ndaj përmbytjeve duke plotësuar modulet ekzistuese FRB dhe FC të BE-së për përmbytjet me kosto 2,614,656 euro.
– Përmirësimi i Menaxhimit të Riskut nga Përmbytjet me kosto 20$ milion – 40$ milion (me gjasa më e lartë).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu