Ballina Aktualitet “Rrezikova jetën, por nuk e mendova”, polici nga Pogradeci shpëton shkodranen nga...

“Rrezikova jetën, por nuk e mendova”, polici nga Pogradeci shpëton shkodranen nga mbytja!

Një ngjarje e rëndë u shmang falë ndërhyrjes së shpejtë dhe vendimtare të efektivëve të policisë në Shkodër, të cilët arritën të shpëtojnë jetën e një gruaje 59-vjeçare që tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur në lumin Buna.

Sipas burimeve zyrtare, alarmi u dha nga një qytetar, i cili njoftoi sallën operative për praninë e një personi që rrezikonte të mbytej në ujërat e lumit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, patrullat e policisë u mobilizuan dhe u shpërndanë përgjatë vijës së lumit, me qëllim mbulimin sa më të shpejtë të zonës dhe lokalizimin e personit në rrezik.

Një nga efektivët që mori pjesë në operacionin e shpëtimit, Erixhon Senko, me origjinë nga Pogradeci, ka rrëfyer momentet dramatike të ndërhyrjes. Ai theksoi se reagimi ishte instinktiv dhe pa hezitim, pavarësisht rrezikut që paraqiste situata.

“E pashë zonjën në ujë dhe nuk mendova gjatë. U hodha menjëherë për ta shpëtuar. Nuk e mora parasysh rrezikun,” u shpreh ai.

Falë ndërhyrjes së shpejtë, efektivët arritën ta nxjerrin 59-vjeçaren nga uji në gjendje të pavetëdijshme. Në vendngjarje ata i dhanë menjëherë ndihmën e parë, duke u përpjekur ta stabilizojnë dhe duke e mbuluar për ta mbajtur ngrohtë deri në mbërritjen e shërbimit të urgjencës.

Policët theksuan se ndërhyrja e tyre ishte e udhëhequr nga ndjenja e detyrës dhe humanizmit. “Humanizmi është pjesë e punës sonë. Nuk menduam për asgjë tjetër, vetëm për t’i shpëtuar jetën,” deklaruan ata.

Më pas, gruaja u transportua me urgjencë drejt spitalit rajonal të Shkodrës, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të stabilizuar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që në raste të tilla të njoftojnë menjëherë shërbimet përkatëse, pasi reagimi i shpejtë mund të jetë vendimtar për shpëtimin e jetës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks