Rreth 1200 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren për protestën e thirrur nga opozita pasditen e së hënës. Mësohet se krahas strukturave të rendit në Policinë e Tiranës, në gatishmëri do të jenë FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës.

Këta të fundit do jenë të pozicionuar në pjesën e brendshme të institucioneve të rëndësisë veçantë që ndodhen në bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë kryeministrisë. Zyrtarisht opozita ka kërkuar leje në polici për 4 orë tubim përpara kryeministrisë.

Por pavarësisht kësaj, protesta pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të Tiranës dhe kohëzgjatja është e paqartë.  Për t’i paraprirë çdo skenari të mundshëm, uniformat blu pritet të instalojnë kamera inteligjente në disa prej akseve ku parashikohet të shtrihet protesta.

Gjithashtu në gatishmëri do të jenë edhe autobotë me ujë.  Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia ka programuar bllokimin e disa akseve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Ministria e Brendshme deri në sheshin Nënë Tereza dhe degëzimet që lidhen me të.

Kufizime pritet të ketë dhe në segmente të tjera, në varësi të zhvillimit të tubimit. Mbarëvajtja e këtij tubimi, cilësohet me tepër rëndësi për uniformat blu të kryeqytetit, të cilat pasditen e kësaj të diele do të mblidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda për të marrë porositë e fundit për protestën e Opozitës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu