Që nga fillimi i vitit e deri më tani rezultojnë të jenë djegur 12,641 hektarë pyje dhe kullota në Shqipëri. Të dhënat më të fundit nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) tregojnë se numri total i vatrave të zjarrit ka arritur në 47 gjatë 2025, shumica prej të cilave rezultojnë në muajin korrik.

Por cilat janë zonat më të ekspozuara ndaj zjarreve?

Dibra, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora janë qarqet kryesore në të cilat digjen mijëra hektarë pyje çdo vit. Viti që lamë pas numëroi gjithsej 168 zjarre dhe 46,623 hektarë sipërfaqe të djegur.

Nëse bëjmë një krahasim përgjatë 10 viteve e fundit, sipas statistikave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, 2007 është viti më i “djegur” me 127 mijë hektarë pyje dhe kullota të shkrumbuara. Megjithëse 2017 ka numrin më të madh të vatrave të zjarrit, 220 përkatësisht, në 2007 është djegur më shumë sipërfaqe.

Nga ana tjetër, 2024 ka sjellë dëmin më të madh ekonomik në 5 vitet e fundit, dëme që kapin një vlerë prej 280 milionë eurosh.

Por sa përllogaritet të jetë dëmi ekonomik në 2025?

Nga një përllogaritje e përafërt mbi bazën e kostos së ripyllëzimit, vlerës së lëndës drusore të djegur, kostos së degradimit të tokës dhe të tjera, dëmi ekonomik nga djegia e pyjeve deri më tani rezulton përafërsisht 78 milionë euro.

Temperaturat e larta, të cilat shënuan rekord ditën e shtunë, kanë shtuar ndjeshëm vatrat e zjarrit në të gjithë vendin. Megjithatë, nuk janë të pakta edhe rastet kur zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.

Aktualisht, situata me zjarret në Shqipëri është shumë alarmante. Forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, duke përfshirë këtu ato ajrore dhe tokësore, janë të angazhuara 24 orë për shuarjen e flakëve. Së fundmi, Bashkimi Evropian dërgoi edhe një avion zjarrfikës nga Italia, Canadair, i cili do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu