Screenshot

Në vijim të kushteve atmosferike të ditës së sotme dhe bazuar në informacionet e mbledhura nga strukturat operacionale në terren, po ju informojmë se situata në territorin e Qarkut Shkodër është nën monitorim të vazhdueshëm. Institucionet vendore dhe strukturat e emergjencave civile janë të angazhuara dhe në gadishmëri të plotë për të përballuar çdo zhvillim të mundshëm të situatës.

Në Bashkinë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë, ndërkohë që të gjitha kapacitetet e bashkisë janë në gadishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme. Në Bashkinë Vau i Dejës aktualisht nuk raportohen reshje shiu.

Në Bashkinë Malësi e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje të dendura shiu. Në qytetin e Koplikut ka pasur prani uji në rrugë, por situata paraqitet në përmirësim, pasi uji po tërhiqet gradualisht. Në fshatin Kamicë, Njësia Administrative Qendër, si pasojë e prurjeve nga Përroi i Thatë, janë evidentuar dëmtime në rrugën që kalon mbi të, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullim dhe në lidhjen Kamicë–Flakë. Strukturat vendore janë në ndjekje të situatës.

Në Bashkitë Fushë-Arrëz dhe Pukë vijojnë reshjet e shiut, në Pukë të shoqëruara edhe me erë të fortë, por deri në këto momente nuk raportohen problematika.

Sipas raportimit të DRUK Lezhë, prurjet në lumenj dhe përrenj janë shtuar, por mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Nivelet e ujit në Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe Rezervuarin Shtodër janë normale, ndërsa hidrovoret e Velipojës ndodhen në gadishmëri të plotë.

Sa i përket akseve rrugore, në segmentin Bogë–Theth është regjistruar dëborë në zonën e Qafë Thores dhe qarkullimi kërkon kujdes të shtuar. Në aksin Hani i Hotit–Dogana Vermosh ka pasur rënie inertesh, por grupet e punës janë në terren dhe po kryejnë pastrimin.

Gjithashtu, janë evidentuar disa ndërprerje të energjisë elektrike në njësi administrative të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz, ndërsa ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për rikthimin e furnizimit.

I bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale. Strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet në vijimësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu