Policia e Shtetit, për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq, ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve, në rast nevoje për ndihmë, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor.

Policia e Shtetit njofton se, prej mëngjesit të sotëm, në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi të cilat kanë kaluar në gatishmëri.

Inspektorët dhe specialistët e policimit në komunitet janë shpërndarë në zonat që mbulojnë dhe janë në kontakt të pandërprerë më përfaqësuesit e pushtetit vendor, emergjencat civile dhe kryetarët e fshatrave, me qëllim monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në kohë, në rast nevoje.

Bëhet e ditur se, të gjithë punonjësit e Policisë Rrugore kanë dalë në terren, për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve që kanë kërkuar ndihmë duke telefonuar në 112.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugët urbane dhe interurbane ka prezencë të shtuar të ujit, që krijon vështirësi në qarkullimn e mjeteve dhe të këmbësorëve, ndaj Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera në rrugë.

Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë.

Policia thekson se, për çdo rast nevoje për ndihmë, drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët duhet të telefonojnë numrin pa pagesë 112.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu