Prej datës 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik ka hyrë në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot opinionet e disa farmacistëve të cilët vlerësojnë këtë nismë të re.
“Me zërin e farmacistëve që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, vjen dëshmia për një tjetër hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor. Që nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin unik po zbatohet në të gjithë vendin”, u shpreh Koçiu.
Kjo sipas saj, siguron më shumë siguri për pacientët, më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët, si dhe trajtim dhe ndjekje më të saktë.
Një farmaciste vlerësoi këtë risi, ndërsa u shpreh se receta e unifikuar do të lehtësojë punën në procesin e përditshëm.
“Është pozitive sepse në to janë të gjithë elementët që deri tani kemi dëshiruar për të qenë të saktë deri në ekzekutimin e plotë të recetës. Jo vetëm ne farmacistët që kemi pak eksperiencë, por për të gjithë brezin e ri, cili tashmë e ka më të lehtë për të përcaktuar saktë emrin e barit dhe dozën. Pra është e shkruar në principin aktiv dhe kjo nuk lë pjesë për të gabuar në asnjë moment”, tha ajo.
Farmacistja kërkoi nga të gjitha institucionet shëndetësore që kanë të drejtë të lëshojnë receta, të mund të unifikojnë këtë recetë mjekësore, në mënyrë që farmacistët ta zbatojnë me kujdes.
Formati i ri i recetës mjekësore u vlerësua edhe nga një tjetër farmacist.
“Është vërtetë një investim modest në komunikimin e mjekut me farmacistin. Risi e kësaj recete është që ka disa të dhëna për pacientin, diagnozën akute apo kronike. Pacientët që janë kronikë paraqiten me këtë dokument dhe për 6 muaj nuk është e thënë që të paraqitet te mjeku për ta rimarrë”, u shpreh ai.
Po ashtu, çdo emër i ri medikamenti do të shkruhet në principin aktiv.
“Kjo sjell siguri për sa i përket leximit nga farmacisti, pasi ka raste kur ka emra tregtarë të ngjashëm dhe mund të keqkuptohen”, shtoi ai.