Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon vendimet përjashtuese, diskriminuese dhe hakmarrëse të z. Alban Xhaferi, Presidentin e KF Vllaznia. Ne jemi informuar dhe kemi konsultuar korrespodenca se si gazetari Ergys Kavaja është penguar të ndjekë më 24 korrik ndeshjen ndërkombëtare të Conference League “Vikingur-Vllaznia”. Klubi nuk i ka miratuar atij akreditimin, pa dhënë shpjegime dhe pa shkaqe të ligjshme.

Kolegu Kavaja i dëshmoi AGSH-së se vendimi diskriminues dhe pengues për të raportuar ndeshjen, ka ardhur në formë hakmarrëse nga presidenti Xhaferi, pasi ai nuk është pajtuar me raportimet e mëparshme të gazetarit mbi veprimtarinë e klubit.
Korrespodenca mes gazetarit dhe klubit, që i është vënë në dispozicion Asociacionit, si dhe dëshmitë e gazetarëve të tjerë të përfshirë për të lejuar kolegun Kavaja të raportojë nga ndeshja në fjalë, krijojnë bindjen e plotë se z. Alban Xhaferi, President i KF Vllaznia, ka vepruar në kundërshtim me rregullat sportive dhe e ka penguar gazetarin Ergys Kavaja, për motive personale, që nuk lidhen në asnjë rast me thyerjen e ndonjë rregulli nga gazetari gjatë pranisë së tij të mëparshëm në veprimtaritë e Klubit, dhe se kolegu i përmbushte të gjitha kushtet për tu akredituar. I bëjmë thirrje Klubit “Vllaznia” të ndalë praktikat penguese dhe hakmarrëse ndaj gazetarëve. Ne inkurajojmë kolegun Ergys Kavaja dhe këdo tjetër që përballet me arbitraritet në terrenet sportive, të denoncojë aktet edhe në federatat përkatëse, siç ne do ta bëjmë në rrjetet tona.

 

Per rastin ne fjale reagoi edhe gazetari Kavaja qe ne rrjetin social shkruan:

I lumtur për rezultatin e Vllaznisë, sot po ndaj me ju një incident të cilin nuk kam preferuar ta bëj publik më herët, për të mos prishur atmosferën në prag të ndeshjes së rëndësishme të Vllaznisë në Conference League.
Me datë 23 korrik jam njohur me një vendim të çuditshëm dhe aspak profesional nga ana e KF Vllaznia.
Pa asnjë shpjegim, më është mohuar e drejta e akreditimit si gazetar për ndeshjen e datës 24 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”.
Pavarësisht këtij vendimi, kam kontaktuar me zyrën e shtypit të klubit, ku më është konfirmuar se me këtë çështje është marrë personalisht Presidenti i klubit, z. Alban Xhaferi.
Në fakt, kam pasur një komunikim të shkurtër edhe me të, ku i urova suksese ekipit për ndeshjen e nesërme.
Për sqarim publik dhe me shumë respekt, i kujtoj z. Xhaferi se shkallët e “Loro Boriçit”, si çdo shkodran, i kam të mbushura me kujtimet më të bukura të fëmijërisë, duke ndjekur ekipin e zemrës. Për mua, njerëzit që sot janë në drejtim teknik si Edi Martini dhe Vioresin Sinani kanë qenë idhujt e fëmijërisë sime.
Në ato shkallë kam raportuar si gazetar që prej vitit 2006 dhe kam bashkëpunuar me çdo drejtues klubi, ndërkohë që ju ndoshta ishit thjesht një tifoz si shumë të tjerë në ato vite.
Nuk më nevojitet një akreditim për të ndjekur Vllazninë, por refuzimi, censura dhe selektimi që përpiqeni t’i bëni medias për shkak të raportimeve që nuk ju përshtaten, janë dëmi më i madh që mund t’i bëni vetë Vllaznisë dhe qytetit të Shkodrës.
Dhe në fund një këshillë miqësore për ju, z. President: Të gjithë ata që janë përplasur me mediat, gjithmonë kanë dalë të humbur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu