Boga, Razma dhe Vermoshi kanë mbetur pa energji elektrike që prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa situata vijon të mbetet ende e pazgjidhur.

Mungesa e energjisë ka sjellë pasoja të menjëhershme për banorët dhe strukturat turistike, veçanërisht në një periudhë kur këto zona frekuentohen nga vizitorë vendas dhe të huaj. Hotelet dhe bujtinat po funksionojnë në kushte të vështira, ndërsa shumë turistë janë përballur me kete situate aspak normale.

Situata rëndohet edhe më tej nga temperaturat e ulëta, të cilat gjatë natës zbresin ndjeshëm, duke e bërë mungesën e energjisë elektrike një problem serioz për sigurinë dhe mirëqenien e banorëve dhe vizitorëve. Në disa zona, familjet janë detyruar të përdorin mjete alternative për ndriçim dhe ngrohje.

Banorët shprehen se kjo nuk është një situatë e re, por një problem që përsëritet pothuajse çdo vit, sidomos gjatë sezonit dimëror. Ata kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje afatgjata, duke theksuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë po dëmtojnë rëndë imazhin turistik të ketyre zonave dhe po sjellin humbje ekonomike. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për shkakun e defektit dhe as për kohën e rikthimit të energjisë elektrike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu