Autoritetet veterinare shqiptare kanë konfirmuar rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në vend. Sëmundja u identifikua në një fermë mbarështimi dhish në njësinë administrative Postribë. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga laboratori referencë i Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit. Drejtori i Përgjithshëm i Sherbimit Veterinar në Shkodër, Sulejman Kullolli, ka bërë me dije se do të bëhet eliminimi i kafshëve të prekura nga murtaja dhe ferma do të izolohet në një perimetër 3-10 km.
“Siç jeni në dijeni, për herë të parë në Shqipëri u shfaq murtaja në një fshat në Postribë. Kjo sëmundje u njoftua nga fermeri më datën 3 qershor. Ferma është vënë në karantinë. Sot bëhet eliminimi i krerëve dhe do izolohet zona në 3 dhe 10 km. Ndalohet lëvizna e kafshëve brenda territorit pra në Shkodër dhe malësi e madhe nuk lejohet lëvizja e kafshëve kjo për të parandaluar vazhdimin. Kjo sëmundje prek të imtat, por nuk kërcënon shëndetin e njerëzve. Nga monitorimi kishim një indicie dje në një tjetër zonë. Ne u paraqitem në fermë, por nuk u konstatuan shenja të kësaj sëmundje. Me masat kufizuese, kanë dalë masat përkatëse dhe me institucione dhe po ndalojmë lëvizjen e kafshëve. Kemi të bëjmë me një ferme të vogël dhe nuk ka dalë as mishi e as qumështi i saj nuk ka dalë në treg. Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet nëse zihen në temperatura të larta. Shërbimi veterinar ushtron kontrolle dhe nuk kemi konstatime për ferma të tjera. I bëj thirrje çdo fermeri që kur ka dyshime, menjëherë te lajmërojë shërbimin veteriner më të afërt”.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal. Sëmundja në fjalë nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.