Në raportin e fundit të inspektimeve në spitalet psikiatrike të Shqipërisë, publikuar nga Avokati i Popullit, janë evidentuar një sërë problematikash të rëndësishme që prekin cilësinë e trajtimit dhe kushtet e personave me probleme të shëndetit mendor.
Nga infrastruktura e papërshtatshme, te mbikapaciteti dhe stafi i papërgatitur, problematikat nënvizojnë nevojën për një buxhet më të madh drejt këtyre institucioneve. Sipas të dhënave të marra, përgjatë vitit 2023, në 4 spitalet psikiatrike në vend ka pasur 3161 pacientë. Raporti thekson se shumë nga rekomandimet janë të përsëritura ndër vite dhe shpesh nuk kërkojnë buxhet të madh për zbatimin e tyre, por mbeten të pazgjidhura. Avokati i Popullit ka kërkuar që këto masa të merren parasysh sa më shpejt për të siguruar një trajtim më cilësor, human dhe të denjë për personat me probleme të shëndetit mendor në Shqipëri. Inspektimet janë kryer në disa institucione, përfshirë spitalet psikiatrike në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Tiranë, si dhe në institucionet e veçanta për të burgosurit në Lezhë dhe Tiranë.
Problematikat Kryesore:
• Kushte të papërshtatshme infrastrukturore: Spitalet psikiatrike në Vlorë, Elbasan, Shkodër dhe Tiranë vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara në kushtet strukturore për trajtimin dhe rikuperimin e pacientëve.
• Mungesa e aktiviteteve rikuperuese: Në disa institucione, si spitali “Xhavit Gjata” në Tiranë dhe “Sadik Dinçi” në Elbasan, mungojnë ambientet për zhvillimin e aftësive okupacionale dhe aktivitetet e rikuperimit.
• Kapacitetet e pamjaftueshme: Institucionet shëndetësore psikiatrike vuajnë nga mungesa e hapësirave për akomodimin e pacientëve në faza rikuperimi, si në sistemin e shtëpizave në Shën Koll.
• Mungesa e investimeve: Rikonstruksioni i pavijoneve, veçanërisht në spitalet e Elbasanit dhe QSUT, mbetet një nevojë imediate për të përmbushur standardet e kërkuara nga institucionet ndërkombëtare.
• Stafi i pamjaftueshëm dhe i papërgatitur: Ka nevojë urgjente për shtim të mjekëve psikiatër, infermierëve dhe stafit ndihmës, si dhe për trajnime të posaçme për menaxhimin e pacientëve me çrregullime të rënda mendore.
• Mungesa e pavijoneve të posaçme: Pacientët abuzues me substanca narkotike nuk kanë hapësira të dedikuara për trajtim specifik.
Avokati i Popullit ka propozuar një sërë masash për përmirësimin e situatës, duke përfshirë:
• Rikonstruksionin e plotë të ndërtesave spitalore dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore (ngrohje, dushe, tualete).
• Pajisjen e spitaleve me mjete kufizimi mekanik dhe riorganizimin e pavijoneve për pacientët akutë.
• Vendosjen e sistemeve të monitorimit me kamera në ambientet e përbashkëta për rritjen e sigurisë.
• Krijimin e pavijoneve të posaçme për personat me çrregullime të lidhura me abuzimin me substanca narkotike.
• Shtimin e kuotave për specializantë në psikiatri dhe rritjen e stafit klinik dhe ndihmës./Monitor/