Në të gjithë territorin e vendit, po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme.
Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të IKMT-së në Hanin e Hotit dhe thekson se po vijon puna për të liruar hapësirat publike të zaptuara.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 487 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 610 raste, ndërsa 3 877të tjera janë në proces shqyrtimi.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.






