Qeveria po bën gati një plan agresiv për të luftuar grabitjen e pensioneve. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një takim me pensionistët nga qyteti i Fierit, ku bëri të qartë se nuk do të tolerojnë më asnjë kompani që nuk deklaron pagat reale të punonjësve, duke theksuar se kjo është grabitje që i bëhet pensionistëve.

“Kemi bërë plan agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrjet, por edhe nga ata që janë punëmarrës dhe që pranojnë të marrin në dorë paratë të cilat na bëjnë dëm dyfish. E para duke i thënë punëdhënësi punëmarrësit, po të jap 500 euro me bankë dhe 200 të tjera në dorë dhe kështu i ke komplet për vete dhe nuk paguan taksa. Ato janë një financim që ti e bën sot që të dalë pensioni ndryshe nesër. Do ndërhyjmë fort kundër kësaj vjedhjeje, se duhet ta rrisim volumin e të ardhurave”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se do t’u qepen nga pas kompanive për t’u marrë atë që u takon pensionistëve njëjtë siç bënë me hajdutët e qeverisë vite më parë.

“Një kompani ndërtimi deklaron paga 500 mijë lekë të vjetra, e dimë që nuk ekziston. Do ndërhyjmë, ua kemi bërë të qartë kompanive dhe të gjithë atyre që janë punëdhënës. Kjo është grabitje dhe ne do t’i qepemi mbrapa të gjitha kompanive për t’i marrë pjesën që u tak pensionistëve njësoj siç iu qepëm atyre që vidhnin energjinë elektrike, ose e merrnin nga rruga dhe nuk e paguanin. Kjo nuk mund të funksionojë”, vijoi Rama.

Një përgjigje e ka edhe për deklaratat e opozitës dhe indeksimin e pensioneve me 4.1%, duke sqaruar se kjo nuk është rritje, por një indeksim i detyruar sipas ligjit.

“Këtu kanë dalë shumë që thonë na jepni votën se do e bëjmë pensionin 400 mijë 500 mijë, kush nuk ka gjë në dorë e bën dhe 1 milion. Ta hajë kush ta hajë. Ai 4.1% nuk është rritje pensioni, është indeksimi me ligj. Ligji e ka që çdo vit duhet ndërhyrë për të kompensuar rritjen e çmimeve. Ka një llogari që bëhet, nuk është as me qef, as pa qef. Qeveria ka detyrimin ta paguajë, nuk është rritje ajo. Ai 4.1% është 100 mln euro plus në Fondin e Pensioneve”, theksoi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu