“Varrezat e makinave” të krijuara nga automjetet e sekuestruara nga autoritetet, që për dekada ishin shndërruar në vatra ndotjeje nëpër bashkitë e vendit, do të transformohen në hapësira të gjelbra dhe projekte të dobishme për komunitetin.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara po i jepet fund grumbullimit të automjeteve të sekuestruara ndër vite, të cilat për më shumë se tre dekada ishin shndërruar në “depo të ndryshkut” dhe mbeturinave, duke zënë hapësira publike në qendrat e qarqeve.
“Më në fund, falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara, i erdhi fundi edhe varrezave të “provave” që e nxinë jetën dhe nuk kishte zot që i shkulte nga kthetrat e burokracisë, duke grumbulluar për 30 e kusur vite në çdo bashki qendër qarku të Shqipërisë sasira të frikshme teneqerash e ndryshqesh; vatra ndotjeje të madhe që do t’ia lenë vendin gjelbërimit a projekteve të dobishme për komunitetin”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.