Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Asamblenë e PS në Lezhë, ku u ndal te akuzat për rritjen e korrupsionit në vend. Në fjalën e tij, Rama hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pasur kurrë më parë një përpjekje kaq intensive për të luftuar korrupsionin. Ai pranoi se fenomeni nuk është zhdukur plotësisht, por këmbënguli se niveli i tij është më i ulët se në të kaluarën.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH:
Shumë faleminderit! Desha të bëj një bisedë, siç kemi filluar në të gjitha takimet e kësaj fushate, që është një fushatë zgjedhjesh në organizatat e partisë, por është shumë e rëndësishme që të mos jetë vetëm një fushatë zgjedhjesh të kryetarëve të organizatave, pastaj të kryetarëve të njësive, pastaj të kryetarëve të bashkisë, të partisë, por të jetë një fushatë për të folur me të gjithë socialistët kudo ku janë, në radhë të parë, pastaj edhe me të gjithë mbështetësit tanë në çdo komunitet në fazën e dytë.
Besoj që, nëse do mundoheni pak të kujtoheni kur unë thosha që do mbyllim negociatat në 2027-ën dhe do anëtarësojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian në 2030-ën, thoshin që ky i sajon këto, këto nuk qëndrojnë as në qiell, as në tokë, ku e di ky, si i di ky, kjo është gënjeshtër, etj.
Ndërkohë që, pastaj doli që s’ishte fare një sajesë apo një opinion i imi, por ishte, siç unë thosha, një marrëveshje me Komisionin Europian për të ekzekutuar një kalendar pune dhe për t’i kryer detyrat e shtëpisë ne si Shqipëri, me një ambicie të madhe dhe me një plan shumë ambicioz që përfundon në 2027-ën dhe pastaj, mbasi negociatat në 2027-ën përfundojnë me Komisionin, mbetet koha rreth dy vjet për të marrë miratimet në parlamentet e vendeve anëtare, sepse të gjithë parlamentet e vendeve anëtare duhet të shprehen për një anëtar të ri. Dhe kështu shkon, me një llogari edhe të çfarë mund të ketë në ndërmjet, në 2030-ën.
Dhe faktikisht, e vërteta është që ne i kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord, që ka ardhur edhe si rezultat i punës sonë, por edhe si rezultat i gatishmërisë së tyre, se duhet thënë edhe kjo, sepse procesi i zhvillimit të marrëdhënieve me Bashkimin Europian është një proces ku nuk ka rëndësi vetëm se çfarë bën ti, por ka rëndësi edhe se çfarë duan ata dhe sa janë ata të gatshëm që të merren me ty, ose sa shumë ata nuk e kanë mendjen derisa vendosin të merren me ty.
Dhe për ta pasur një ide shumë të thjeshtë se si funksionon, është si një ndërtesë me dy kate. Në katin e parë është Komisioni Europian, Brukseli, ku janë 35 mijë njerëz që punojnë për të gjitha çështjet dhe ata të gjithë janë ekspertë që merren me aspektet teknike të çdo çështjeje që ka Bashkimi Europian dhe një pjesë e tyre merren me vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, me vendet që aspirojnë të hapin negociatat, me vendet që bëjnë negociata dhe ata praktikisht u paraqesin vendeve detyrat dhe u thonë: këto janë detyrat. Duhet të bëni këtë reformë, duhet të bëni këtë reformë, duhet të bëni këtë reformë, duhet të bëni atë ligj, atë ligj, atë ligj, etj. Dhe duhet të merrni këto masa për të ardhur në pikën që vendi të bëhet një vend ku ligjet të jenë përafruar me të gjitha ligjet e Bashkimit Europian dhe, patjetër, edhe për të vlerësuar se si zbatohen ligjet.
Dhe pastaj, në bazë se si vendi i kryen detyrat, ata i çojnë letrat në katin e dytë dhe nxjerrin raportin dhe thonë: ky është raporti për Shqipërinë, Shqipëria i ka kryer detyrat dhe duhet të hapë negociatat. Ata në katin e dytë tani janë 27 vendet anëtare dhe aty funksionon ndryshe. Aty nuk funksionon vetëm me çfarë ke bërë ti. Aty funksionon sa gati janë të 27 që të thonë “po” dhe mjafton një të thotë “jo”, nuk bëhet. Për çdo gjë, edhe për vendimet që Bashkimi Europian merr për veten e vet, del njëri kundër, s’bëhet.
Dhe ne kemi arritur të krijojmë respekt dhe besim që s’e kemi pasur kurrë më përpara. Sot ne kemi momentin tonë, sepse ne kemi bërë pjesën tonë, siç e thashë, por janë bashkuar edhe yjet e fatit tonë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për aq kohë sa e kemi këtë moment. Nuk duhet të mendojmë që dera e hapur e Bashkimit Europian do të rrijë hapur për gjithë jetën dhe do na presin ne. Dera është e hapur dhe ne duhet të hyjmë brenda.
Ato 83 mandate që dolën nga kutitë e zgjedhjeve, nuk na i fal askush që nuk është ne. Kjo është forca jonë, sepse është forca e Partisë Socialiste.
Tani, siç ishte ai afat në fund të janarit, janë të gjitha afatet e tjera për punët tona. Unë flas për punët tona, nuk flas për punët e Gjermanisë apo për punët e Francës. Unë flas për punët tona. Ne duhet të bëjmë punët tona. Ne nuk duhet t’u lëmë atyre asnjë sebep që pastaj gjërat të fillojnë të vonohen. Dhe për këtë na duhet të jemi kompaktë, na duhet të jemi të fortë dhe na duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme vendore ne ta konfirmojmë forcën tonë me patjetër.
Është e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë shumë e fortë dhe të vazhdojë të ushtrojë forcë për të realizuar një objektiv që është objektiv historik. Na e ka sjellë ne fati, Zoti, quajeni si të doni, që ta kemi këtë barrë, që ta çojmë deri në fund këtë proces. Edhe populli shqiptar na ka dhënë 83 mandatet për të na thënë: ja ku i keni, çojeni këtë proces deri në fund. Dhe ne nuk mund të lejojmë që ky proces të merret peng për asgjë tjetër që është në dorën e shqiptarëve.
Ne na duhet të zotërojmë fushën dhe na duhet të çojmë punët përpara dhe kemi shumë gjëra për të cilat duhet të ndihemi mirë vërtet. Po ju marr disa prej tyre.
E kemi marrë ekonominë e këtij vendi me më pak se 10 miliardë prodhim të përgjithshëm. Sot që flasim e kemi çuar në afro 27 miliardë. Duam ta çojmë në 35 miliardë në 2030. Është e bëshme. Është e bëshme!
Isha, para se të vija këtu, edhe te spitali i Lezhës. Aty ishim me të gjithë shefat e pavioneve. Unë i kuptoj nga syri edhe demokratët, por aty po ju them që ka ndryshuar gjithçka nga pikëpamja e infrastrukturës dhe ata sot kanë paga dinjitoze, kanë të njohur vjetërsinë në punë, kanë edhe indeksimin e pagës të përvitshëm dhe ma thanë me plot gojën që është bërë atraktiv edhe për mjekët e rinj, spitali i Lezhës.
Pagat në Shqipëri janë rritur dhe rriten në sektorin privat vazhdimisht. Nuk është më në pyetje sa do ta paguaj atë që më duhet, por thjesht ku do ta gjej atë që më duhet për atë punë që më duhet.
Dhe po ashtu pensionet.
Ne e kemi ditur që ishte pika më e dobët, hallka më e dobët e gjithë skeletit social të Shqipërisë dhe patjetër që, duke pasur edhe një mbështetje të madhe nga pensionistët, kemi qenë gjithmonë të vetëdijshëm që për pensionistët duhej bërë patjetër diçka, por s’kemi pasur mundësi ta bëjmë.
Ekonomia nuk na e ka lejuar që ne ta marrim përsipër dhe ta bëjmë, por ama, nëse ia dolëm ta bëjmë dhe tani pensionet janë futur në rrugën e rritjes së përvitshme të parashikuara në buxhetet e mëtejshme, me dyfishim çdo janar, pra u rritën këtë janar x, do të rriten (x herë 2) në janarin tjetër, do rriten (x herë 3) në janarin e 2028-s, do rriten (x herë 4) në janarin e 2029-s dhe do rriten (x herë 5), në janarin e 2030-s, sepse ekonomia na e ka krijuar këtë mundësi.
Jo më larg sesa sot paradite po diskutonim disa ndërhyrje të tjera të rëndësishme për pensionin, të cilat nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë më përpara, duke përfshirë edhe fillimin e krijimit të një fondi të veçantë për pensionet për ata që duan ta kenë pensionin më të lartë, ku shteti do të japë një kontribut të barabartë me kontributin që do japë personi dhe ai kontribut është aty dhe rritet deri kur personi del në pension, për shembull. Po ku kemi pasur ne mundësi t’i bënim këto? E nëse e kemi sot, e kemi se rritet ekonomia.
Ne e kemi marrë Shqipërinë me 2 milionë e ca turistë, ku llogariteshim për turistë dhe unë me Pjerinin. Sa herë që ktheheshim nga ndonjë udhëtim, na llogarisnin për turistë. Edhe vetë burri i huaj që ishte kryeministër e llogariste veten për turist kur kthehej dhe thoshte 2 milionë e ca turistë. Edhe investime të huaja 300–400 milionë euro në vit. Kemi arritur në 12 milionë turistë dhe kemi kaluar 1.5 miliardë investime të huaja.
Tani të gjithë ata që – se unë nuk mund të them na janë vënë përballë, – se përballë ne s’kemi njeri, me thënë të drejtën. Ne kemi mbrapa të gjithë këta që na gjëmojnë dhe që krijojnë një zhurmë shumë të madhe: korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni.Tani unë nuk them që ne e kemi shfarosur korrupsionin, por unë them një gjë që mund ta faktoj në disa rrugë: që e para, kurrë më përpara Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë. Dhe e dyta, korrupsioni është më i ulët se çdo herë më parë.
Zhurma është më e madhe, patjetër, dhe është më e madhe edhe nga lufta, që çdo gjë amplifikohet në të gjitha rrugët e keqinformimit, por është patjetër edhe nga rezultati.
Fjala vjen, si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe rritje të pagave në të njëjtën kohë? Nuk ndodh kjo në vendet që kanë korrupsion në rritje.
Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe rritje të pensioneve në të njëjtën kohë? Sepse pagat dhe pensionet rriten ngaqë rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Korrupsioni prezumohet që i thith të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe i çon në pak xhepa. Atëherë,këto të dyja bashkë nuk shkojnë.
Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe, ndërkohë, të rritet numri i përfituesve nga garat publike? Janë të gjitha gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën.
Ashtu sikundër, nuk diskutohet që njeriu është i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të keqen e harron shpejt, ndërsa të mirën e do edhe më shumë.
Por, nëse kthejmë kokën pas dhe kujtohemi për kohën kur për të paguar dritat duhet të mbaje radhë, për të paguar taksat duhet të mbaje radhë dhe për të marrë një certifikatë lindjeje duhet të mbaje radhë, ndërkohë që të gjitha këto gjëra sot i bën me telefon, atëherë si qenka rritur korrupsioni?
Sot po diskutoja me kryetarin tuaj të bashkisë. Projektet që ne shohim për Lezhën, për ndërtimet në zonën turistike, janë projekte që nuk mund të imagjinoheshin, as nuk mund t’i shkonte njeriu në mendje që do merrnin përsipër njerëzit të bënin ato lloj investimesh këtu në Lezhë dhe janë projekte që, kur të realizohen, do ta bëjnë Lezhën realisht një destinacion turistik europian në plot kuptimin e fjalës.
Ne europiane mund ta quajmë edhe sot Shqipërinë dhe Lezhën dhe Durrësin dhe Vlorën, kë të doni, por ato investime që parashihen dhe që nuk janë në ëndrra, janë projekte që vijnë, që ne i aprovojmë, janë investime për të cilat ia vlen të luftohet dhe të fitohet, sepse do të lënë gjurmë në historinë e këtij qyteti dhe në historinë e këtij vendi.
Na është dhënë mundësia që me duart tona ta marrim Shqipërinë dhe ta çojmë deri te dhoma e pritjes e Bashkimit Europian, duke e bërë anëtare të barabartë të asaj familjeje. Kjo është një gjë shumë e madhe dhe, ashtu sikundër historia nuk ka për ta harruar nëse ne e realizojmë, ashtu historia nuk ka për të na e falur nëse, për fajin tonë, kjo nuk realizohet.
Faleminderit për gjithë këtë durim të madh!
Unë ju siguroj që i kemi të gjitha mundësitë dhe jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë.
Nuk do të ndalemi së rrituri pagat.
Nuk do të ndalemi së rrituri cilësinë e jetës dhe patjetër, edhe standardet e të gjithë qyteteve tona.
Nuk do të ndalemi së rrituri të gjitha mundësitë për këdo që do të jetojë me punë.
Na duhet vetëm që të jemi shumë të vendosur, shumë kompaktë dhe mbi të gjitha të vetëdijshëm në çdo hap që ajo që kemi përpara është diçka e jashtëzakonshme dhe ne duhet ta realizojmë.
Ky duhet të jetë fiksimi ynë, kështu që: fiksim!






