Ballina Aktualitet Rama: Policët do pajisen me kartë për blerjen e ushqimeve, do i...

Rama: Policët do pajisen me kartë për blerjen e ushqimeve, do i marrin më lirë! Pagat e ushtarakëve do rriten derisa të arrihet mesatarja e atyre të NATO-s

Kryeministri Edi Rama njoftoi se të gjithë policët dhe ushtarakët do të pajisen me një kartë, e cila do t’u mundësojë që të blejnë ushqime me çmime më të reduktuara. Do të jetë një listë me supermarkete ku mund të përdoret kjo kartë. “Do marrin kartë, do i blejnë ushqimet më lirë se tjerët. Ministria e Brendshme ka bërë negociata me supermarketet dhe kush do shkojë me kartën e policisë do blejë çdo gjë më lirë se gjithë tjerët”, tha Rama. Po ashtu, Rama foli edhe për nisjen e zbatimit të programit të kredive të favorshme për shtëpi për mjekët, ushtarakët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Ata që bëhen pjesë e këtij programi mund të marrin kredi, ndërsa interesi do të paguhet nga shteti. Rama tha se edhe vitin tjetër do të vijohet me këtë skemë, duke thënë se do të zgjerojnë numrin e kuotave, nga 300 që janë aktualisht.

Ky programi dhënies së kredive me gjitha interesat e marra përsipër nga shteti. Sot interesat bankare janë mbi 6 përqind, shumë për dikë që ka vetëm një pagë. Nuk është e lehtë për bankat që ta japin këtë kredi duke pasur parasysh perspektivën. Duke pasur këtë kredi me asnjë interes ndryshon panorama. Është një program fitues për ata që përfshihen në këtë program. E kishim 300 kuota këtë vit, është hera e parë, procesi ka pasur disa probleme të natyrës burokatrike, por është vetëm fillimi. Edhe ne edhe aplikantët do mësojnë nga ky moment i parë dhe vitin e ardhshëm do vazhdojmë me dhënien e kredive, do ta zgjerojmë numrin.

Kreu i qeverisë tha se paga për ushtarakët do të vazhdojë të rritet çdo vit me synimin që arrihet një pagë mesatare sa e trupave të NATO-s. Paga për ushtarakët do të vazhdojë të rritet në mënyrë të përvitshme derisa të mbërrijmë tek mesatarja e NATO-s. Ky nuk është shpërblim i atyre që janë në kulmin e karrierës, që kanë vite në ushtri, por është çështje perspektive për të rinjtë, që duhet t’i shohin FA jo vetëm si mundësinë për t’i shërbyer atdheut për të pasur një punë që i përmbush, por edhe një perspektivë të sigurt”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama teksa po fliste për programin e kredive me zero përqind interes për mjekët, policët e ushtarakët nuk kurseu as batutat. Rama u ndal tek largimet drejt Gjermanisë, duke thënë me batuta se atje nuk e gjen dot kohën e as vendin për t’u ulur në kafe e për të marrë gjithë dynjanë në gojë me lloj lloj muhabetesh.  

“Ku e gjen në Gjermani kohën vendin për të pirë një kafe dhe për të bërë lloj-lloj muhabetesh e për të marrë në gjithë dynjanë në gojë në shqip. Është pjesë e jetës, po të mos ishte një pjesë e ëmbël e jetës s’do ishin kafet plot. Që mos të flas pastaj për ata që kafen e pëlqejnë turke. E keni parë kafen në gjermani si është, lëng gështenjash. Po flas për perspektivën dhe po flas me shumë besim sepse e kam të bazuar në gjërat që shoh dhe punojmë çdo ditë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama thotë se është e paimagjinueshme që studentët e Mjekësisë protestojnë dhe refuzojnë kontratën e qeverisë për të punuar për 5 vite në Shqipëri në këmbim të studimeve falas. Rama tha se qeveria nuk do të financojë falas studimet e tyre që më pas të ikin në Gjermani. Në të kundërt nëse nuk u pëlqen, Rama tha se duhet të paguajnë tarifën dhe më pas mund të ikin ku të duan.

“E paimagjinueshme që studentë të mjekësisë të refuzojnë, madje të bëjnë dhe protesta që t’ia kthejnë këtij vendi dhe këtij populli këtë investim shumë të madh. Qeveria financon studimin e mjekëve për të shërbyer për shëndetin publik të Shqipërisë, jo për t’i shërbyer Gjermanisë. Nëse dikush nuk dëshiron ta marrë në konsideratë detyrimin, human, profesional, patriotik, që për disa vite të shërbejnë në Shqipëri dhe t’ia kthejë investimin këtij populli, duhet të paguajë tarifën e plotë dhe pastaj të shkojë ku të dojë. Tarifa e plotë nuk është ajo e vërteta përsëri.”, tha Rama. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks