Edhe pse sezoni veror ende nuk ka përfunduar plotësisht, Edi Rama nxitoi të bëjë bilancin e turistëve për 8 muajt e parë të vitit, duke I kthyer përgjigje zëravve se boom-I turistik këtë verë i nxori zbuluar. 9 mln turistë për 8 muajt e parë të vitit ka regjistruar Shqipëria, 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Ndryshe nga çfarë është thënë lidhur me prurjet e këtij viti, aktualisht dhe këto janë shifra jo opinione, sezoni turistik veror, ka sjellë që deri tani ne të kemi mbi 9 milionë vizitorë, gjysmë milioni më shumë. Kjo është ‘rënia’ e komentuar ashtu sikundër edhe një e dhënë tjetër që dua ta theksoj është se nuk është e vërtetë që numri i vizitorëve nga Kosova ka rënë, nuk figuron. Përkundrazi ka një rritje, që nuk është e madhe pasi ka pak ose aspak shqiptarë në Kosovë që nuk kanë qenë më parë në Shqipëri Vlen të theksohet rritja nga Franca, Gjermania, nga Kina, India, Brazili, Australia apo edhe rritja nga Turqia apo Izraeli”, tha Rama.

Suksesi në shifra thotë se nuk do të jetë më prioritet i qeverisë, strategjia e re është kjo.

“Ne tani kemi objketiv rritjen në numër, nuk është ky objektivi ynë. Rritja në numër për ne nuk është më prioriteti i parë. Për ne prioriteti i prioriteteve është rritja e cilësisë dhe rritja e numrit të turistëve dhe vizitorëve që konsumojnë më shumë këtu në vendin tonë”, tha Rama.

Por turizmi cilësor e elitar nuk pranon skena si ajo e një muaji më parë në Ksamil mes dy pronarëve, plazh që kryeministri Rama e cilësoi të dhunuar.

“Plazh i dhunuar. Kjo është fjala e duhur për plazhin e Ksamilit. Një ndër plazhet më të bukur të botës nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për t’u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë më turistët e vizitorët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo për të vënë çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazhe, që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turistëve shqiptar. Në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më që plazhi publik i Ksamilit të jetë plazh privat”, tha Rama.

Për menaxhimin e vijës bregdetare, paralajmëroi një plan të ri, por për dy prej plazheve më të frekuentuara duket se nuk ka hapësirë për tolerancë. Teksa prezantoi vizionin për “Shqipërinë turistike 2030”, Rama tha se Ksamili dhe Dhërmiu do të kthehen në plazhe publike që do menaxhohen nga bashkia dhe së shpejti do të përcaktohen edhe të tjerë.

“Shumë shpejt do të nxjerrim edhe planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me të gjitha bashkitë, do të kuptojmë se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht. Dy janë të sigurta, Ksamilin dhe Dhërmiun. “, tha Rama.

Zero tolerancë edhe për muzikën e lartë në beach bar-e.

“Ne do ta ndalojmë muzikën, s’do të ketë muzikë në Beach Bare dhe do të bëjmë ridimensionim të numrit të beach bareve dhe të mënyrës se si do të lidhen me shërbimin në tërësi”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi edhe reformim të Inspektoriateve, policisë bashkiake dhe IMT-ve, duke thënë se janë kthyer në vend qokash të tmerrshme. Sipas kreut të qeverisë, ata duhet të kthehen në shërbime bashkiake, me “standarte e kritere që certifikohen nga akademia e sigurisë apo universiteti”.

Sa i përket mbetjeve, ai tha se ka një transformim rrënjësor në pastrimin e territorit, ndërsa paralajmëroi se trajtimi i mbetjeve do të menaxhohet nga qeveria. Kritikoi sërish ndotësit, teksa tha se shqiptarët ndalojnë nëpër pika turistike për të bërë foto për të treguar bukuritë të vendit, por nga ana tjetër, edhe e ndosin duke hedhur plehra vend e pa vend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu