Mbledhja e grupit të PS, ku pritet të vendoset edhe fati i Belinda Ballukut, nisi me kritika për sistemin e drejtësisë. Duke e quajtur pezullimin e një ministri ndërhyrje brutuale në pushtetin ekzekutiv, kryeministri Edi Rama kritikoi drejtpërdrejtë prokurorët e SPAK duke thënë se lëshojnë fletëthirrje si bileta teatri, në garë për mandatin e ardhshëm të SPAK. Pavarësisht notave kritike, kryeministri Rama është i bindur se ka ndjekur rrugën e duhur me mbështetjen që i ka dhënë reformën në drejtësi, për të cilën thotë se nuk bëhet pishman pavarësisht bombave artizanale që lëshojnë lloj lloj prokurorësh e gjykatësish. Më tej, ministrat do të paraqesin raportet e tyre përkatëse, me një kohëzgjatje prej 7 minutash secili. Në fund, fjalën e ka kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.4 ditë më parë prokurorët e SPAK me argumente shtesë i kërkuan Kuvendit autorizim për arrestimin e zv/kryeministres. Fatin e saj do ta vendosë kuvendi me shumicë socialiste, i cili do duhet të zgjedhë mes dy raporteve, atij të opozitës për lejimin e arrestimit apo një qëndrimi të socialistëve që i qartë pritet të mësohet sot. Vendimin pro apo kundër kërkesës së SPAK Kuvendi pritet ta marrë në një prej 2 seancave të ardhshme.
Duke folur për pushtetin gjyqësor, Rama kujtoi sulmet publike që Sali Berisha i bënte më parë kryeprokurores së përgjithshme të kohës Ina Rama. Rama tha se sot deklaratat nga gjyqtarët e prokurorët janë të shpeshta pas kritikave të tij dhe asnjë e tillë nuk është bërë për Berishën dhe denigrimet e tij për aktorë të drejtësisë.
“Ku ishin fshehur kur Berisha e ngrinte puçiste dhe e ulte lavire bulevardi kryeprokuroren e përgjithshme. Tani po hyjmë në Europë. Tani, sot në këtë kohë atij që s’u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot gjysmë llafi edhe pasi del dhe i lexon prokurorit më kurajoz librin e shtëpisë. Ndaj u sugjeroj të merren me mesazhin, jo mesazherin, se paguhen nga taksat e shqiptarëve si frëngu pulën me 500 këshilltarë dhe sekretari që të qeverisin sistemin e drejtësisë e jo të ankohen për kërcënime inekzistente”, tha Rama.
Duke e cilësuar veten dhe qeverinë e tij si mbështetësi më i madh i drejtësisë së pavarur, Rama tha se pushteti gjyqësor reagon me shkrime nervoze ndaj deklaratave të tij kritikuese. Ndërkohë thotë Rama, Sali Berishës, referuar si paraardhësi i tij, nuk i artikulohet asnjë deklaratë kur përpara SPAK del dhe nuk kursen aspak prokurorin e posaçëm Altin Dumanin.
“Kur dëgjoj që një gjykatës i thotë prokuroi, rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën apo një tjetër gjykatës në apel i jep një dënim dhe më të rëndë që kishte në shkallën e parë. Halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në pushtetin gjyqësor. Këtë perceptim shqetësua ma forcon një fakt, që kur unë ngre shqetësime, këshillat e gjyqësorit dhe prokurorive më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mija ca deklarata nervoze si ca njerëz që një daulle dasme i prish gjumin e drekës. Me ca thirrje për ca aktorë politikë për të mos i bërë presion drejtësisë, bla bla bla. Tani në këto kohë atij që nuk u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot një deklaratë, por gjysmë llafi dhe pasi del dhe lexon librin e shtëpisë prokurorit më kurajoz mu të dera e SPAK. Të merren me mesazhin jo me mesazherin se paguhen i frëngu pulën bashkë me sekretar e këshilltarë. Nga unë që u kam dorëzuar shatën e drejtësisë së pavarur që rrinte në zyrën time që nga viti 19912. Kurrë nuk do të ndërdyjmë në çështjet e drejtësisë, siguria juridike e qytetarëve, garancitë e procesit”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk i ka ushtruar presion drejtësisë. Në mbledhjen e grupit të PS, Rama u shpreh se shqetësimet e tij, i ka shprehur në interes të shtetit.
“Kur unë të hyj në meritën e ndonjë çështjeje, ndërsa ajo çështje është në gjykim, hajdeni. Halli i vetëm është se po bëhen ca si shumë arsyet për të vënë duart në kokë. Deklaratat për prishje gjumi, të këshillave janë lule, para çarçafit që nxorri ajo shoqata rrogarritëse e gjykatave. Fletërrufe e vërtetë, por do e kishte lexuar me bindje politike dhe vetë heroina e telenovelës rruga e shpresës, Albana Bulku, unë vura alarmin si kryeministër, për gropën që gjykata donte t’i hapte buxhetit të shtetit, padrejtësisht. Duart ne këtu nuk i kemi për t’i vënë në kokë, por për t’i hapur rrugën Shqipërisë në BE. Këtë shumicë, ky popull na i ka vënë në dispozicion për t’i përveshur mëngët dhe të mos ndalemi. Njerëzit e punës së drejtësisë ta kryejnë punën e patrazuar, por edhe të përpiqen t’i marrin shqetësimet nga ana ime, si shqetësime në interes të shtetit. Askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e drejtësisë së re, sepse qëllimi ynë, nuk është të bëjmë presion, por mirëkuptim për gjërat që nuk shkojnë. Fola për lajthitje të panevojshme, kurrë askush nuk ka ngritur dhe nuk do ngrejë pretendime që pengon hetimet nga ana e prokurorisë, për këdo qoftë”, tha kreu i qeverisë.






