Qeveria Rama e ka gati projektligjin për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i hartuar pas një pune 2-vjeçare dhe që pritet të marrë miratimin nga Këshilli i Ministrave javën që vjen. Ky projektligj parashikon ngritjen e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, proces që tashmë nuk do të jetë më në dorë të pushtet vendor, por Bashkitë do jenë ‘klientë’. Detajet u prezantuan nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se ky është kapitulli më sfidues në rrugën drejt BE-së.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

“Kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Një agjenci e re e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve, të këtij misioni për në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve. Nuk do të jetë më proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me te cilin, bashkitë do të jenë klientë, njësoj siç janë në operatorët e tjerë”, tha Rama.

Projektligji parashikon ashpërsimin e sanksioneve për ndotësit, tha ministrja Mirela Kumbaro, e cila zbuloi se krahas mbetjeve gati është edhe projektligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit. Përmes këtij projektligji, qeveria do të detyrojë çdo biznes që të gjurmojë çdo mbetje që gjenerohet nga aktiviteti i tyre.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

“Jo vetëm bashkitë, jo vetëm institucionet publike, bizneset nga ato që prodhojnë mallra, që importojnë, të kenë detyrimin ligjor për të ndjekur gjurmuar çdo mbetje që gjenerohet nga aktiviteti i tyre industrial, i shërbimit apo prodhimit”, tha Kumbaro.

Kreu i qeverisë paralajmëron masa edhe për ‘varrezat’ e makinave, duke thënë se jemi i vetmi vend në Europë që i ka të ligjëruara me vullnetin e Maliqit.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

“Jemi besoj i vetmi vend në Evropë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjithë këtyrë varrezave dhe jemi vend që s’ka akoma detyrim për prodhuesit, shpërndarësit e importuesit me këtë që thashë, për trajtimin dhe çfarë ndodh me gjithë këto materiale kur kryejnë misionin e tyre si ambalazh, pajisje elektrike apo si automjete. Për këtë kemi një ligj që do të kalojë në kuvend brenda këtij viti.”, tha Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu