Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar në podcastin e tij “Flasim” tre të rinj të FRPD-së nga Vlora, të cilët kishte takuar disa ditë më parë gjatë një vizite në qytet.
“Kjo është ndeshja e kthimit,” tha Rama me humor. “U ftova të hedh valle në gojë të ujkut, tani kam ftuar ata që më ftuan, që të hedhin valle në gojë të ujkut.”
Duke vijuar me batutat, ai iu drejtua të rinjve opozitarë: “Sigurisht që jeni zgjuar shumë herët për të më mundur mua, por nuk besoj se ua kishte marrë mendja se do të zgjoheshit kaq herët për të ardhur këtu, për të folur me mua dhe për të buzëqeshur. Prandaj është e bukur jeta.”
Rama e cilësoi takimin si një mundësi për të parë realitetin përmes syve të opozitës dhe theksoi se një kulturë e tillë debati është e rëndësishme për politikën shqiptare. “Janë vlonjatë, janë trima, nuk u bën syri tërr. Faleminderit për ndeshjen e kthimit dhe për takimin në Vlorë, i cili, për të qenë të sinqertë, ishte më shumë se thjesht një kafe – tregues se edhe opozita jeton mirë atje,” shtoi ai.
Duke përmbyllur bisedën, Rama theksoi rëndësinë e një opozite të fortë dhe funksionale për të ardhmen e vendit. “Këta janë miqtë e PD-së së Vlorës dhe shpresoj të jenë pjesë e gjeneratës së re që do të ndërtojë të ardhmen e opozitës shqiptare. Sepse ose do ta bëjnë siç duhet, ose do të vuajnë si PD-ja,” përfundoi ai.