Paratë që Shqipëria do të marre nga BE pas anëtarësimit është karta me të cilën Rama po josh votuesit. 64 milionë euro, tha ai, është fondi nga plani i ri rritjes ekonomike që unioni do të shpërndarë për vendet anëtare fale ecurisë së reformave. Rama bëri dhe një analogji me vitet ‘91-‘92, kur PD erdhi në pushtet. Sot, tha ai PS është në të njëjtin pozicion për të sjellë ndryshimin e madh, integrimin në BE.
“Partia Socialiste sot gjendet në vendin dhe në kohën e duhur si pika e referimit, si gjendej Partia Demokratike në vendin dhe në kohën e duhur në ’91- ’92 kur një shumicë dërrmuese e papërsëritur ndonjëherë ia dha votën për të konfirmuar një pozicion të ri të Shqipërisë, për të konfirmuar një ndarje përfundimtare nga e shkuara dhe një përqafim të së ardhmes. E njëjta gjë, në një dimension tjetër, do të ndodhë në 11 maj, duhet të ndodhë në 11 maj.
Ndërkohë, kemi një të re shumë pozitive, Komisionerja për zgjerimin Marta Kos ka deklaruar që përgëzon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shpejtësinë në marrjen e financimit nga Plani i ri i Rritjes. Shpejtësia në planin e ri të rritjes do të thotë përmbushje e detyrave sipas kalendarit dhe programit, kalendarit dhe programit të dakordësuar për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e anëtarësimit dhe bëhet fjalë për 64. 5 milionë euro që vijnë drejtpërdrejtë nga BE për Shqipërinë, 30 milionë euro janë për buxhetin e shtetit si mbështetje e agjendës për reformat dhe 34 kalojnë përmes Fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor për infrastrukturën. Kështu që, besoj se kjo është një tjetër anë, shumë e qartë e faktit që ne jemi duke ecur me shpejtësi sipas ritmit të përcaktuar edhe nga negociatat, për t’u anëtarësuar në BE”./