Kryeministri Edi Rama është shprehur se e ka ftuar Papa Leone XIV për të vizituar Shqipërinë, për të qenë i pranishëm ‘në festën e madhe të komunitetit katolik, për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Leo XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, Regina Di Albania’.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se Papa Leone XIV kishte shfaqur shumë interes për këtë ftesë, por nuk i kishte premtuar nëse do të ishte i pranishëm ose jo.Momenti i veçantë i kësaj jave ishte vizita në Vatikan dhe ndryshe nga vizitat e mëparshme kjo vizitë kishte brenda saj edhe një veçori tjetër të paharrueshme, ndalesën në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, aty ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë, shkëputur nga muri i kishës së vjetër të Shkodrës në vitin 1467. Asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e kësaj bazilike, kjo edhe për turpin tim, që  këtë ndalesë e kuptova si shumë të rëndësishme vetëm së fundmi. Bazilika ka dhe një specifikë tjetër. Ajo është një destinacion i rëndësishëm nën kujdesjen e Urdhrit agustinian që është dhe Urdhri i Papa Luanit të XIV apo të Leonit të XIV. Nëse të mëparshmit i thoshim Gjon Pali II, këtij do t’i themi Luani i XIV. Papa Luani i XIV apo Leoni i XIV, ndalesën e parë apo gjënë e parë që bëri pasi u zgjodh dhe pasi doli tymi i bardhë mbi Selinë e Shenjtë ishte pikërisht vizita në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe lutja përpara pikërisht atij imazhi të ardhur nga Shkodra. Një tjetër moment emocionues ishte edhe qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papa Luanin XIV ku u ktheva mbrapa në kohë.  Në po atë sallë, në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Françeskun, pasi ai ishte zgjedhur Papë dhe pasi unë isha zgjedhur kryeministër, dhe prej ku, u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e një miqësie, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time. E për këtë arsye, edhe homazhi në varrin e thjeshtë, po shumë të bukur, të Papa Françeskut, i cili u bë dhe një mik i madh i Shqipërisë, i cili e mbajti gjithmonë vendin tonë në lutjet e tij, duke përcjellë mesazhe të vazhdueshme dashurie, afërsie, respekti, mirësie për popullin shqiptar, ishte absolutisht prekës. Nga ana tjetër, patjetër që ishte me një peshë të veçantë, siç mund të kuptohet edhe prezantimi me Papa Luanin XIV. Një karakter, një natyrë krejt e ndryshme nga e Papa Françeskut, por një njeri me një dritë, me një mirësi të thellë, me të cilin sigurisht që folëm për Shqipërinë, folëm për rajonin, folëm për botën dhe të cilin e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Luani XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, Regina Di Albania. Nuk e di a do të jetë e mundur, por gjithsesi ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar. Në ndërkohë që edhe takimi me Sekretarin e Shtetit kardinalin Parolin ishte pjesë e vizitës, kënaqësi e veçantë, një njeri i rrallë, një personalitet i madh, një njohës i jashtëzakonshëm i punëve të botës dhe po ashtu një dashamirës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu