Mësuesit e Shqipërisë janë renditur ndër vendet me rezultatet më të larta pozitive në testimin ndërkombëtar TALIS ku marrin pjesë 55 vende të OECD.
I ftuar në ceremoninë ku u bënë publike të dhënat e këtij testimi, ku mësuesit shqiptarë kanë dalë me rezultate pozitive, Kryeministri Edi Rama shprehu krenarinë për ta.
“Erdha këtu me një kënaqësi të veçantë sepse është një lajm shumë i mirë për prindërit që në një anketim ndërkombëtar për mësimëdhënie dhe të nxënit mes 55 sistemeve arsimore në BE, në Europën përtej BE, përfshirë dhe vende jashtë BE, mësuesit tanë kanë dalë mirë dhe patjetër që kjo është merita e tyre, por është edhe një pasqyrë e përpjekjes që kemi bërë së bashku. Dhe besoj edhe e mbështetjes që ne jemi përpjekur t’i japim mësuesve në vazhdimësi në të gjitha drejtimet. Kjo anketë është një anketë shumë sfiduese e cila e thënë në mënyrë banale është anketa PISA për mësuesit, ndërkohë që PISA është për nxënësit. Dhe meqënëse në të gjitha shkallët e anketës rezultatet kryesore për Shqipërinë reflektojnë motivim të mësuesve, dëshirë për profesionin, besim në zhvillimin e aftësisë së nxënësve dhe konkretisht të gjitha këto në shkallën e formimit fillestar, në zhvillimin e vazhduar profesional, sigurisht që nuk kemi arsye pse të ndjehemi në vështirësi për të qenë krenar. Përkundrazi, ndihem krenar për ju, për gjithë mësuesit e Shqipërisë, për faktin që në një anketim kaq sfidues kemi dalë me rezultatet domethënëse pozitiv”, tha Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se rezultatet pozitive të testimit ndërkombëtar për mësuesit e Shqipërisë, janë një tregues i qartë, sipas tij, i reformave të bëra ndër vite në sistemin arsimor shqiptar.
“Ka disa të dhëna pozitive shumë inkurajuese edhe përsa i përket objektivave që kemi duke pasur parasysh nevojën për të nxitur më tutje teknologjinë, patjetër që është shumë inkurajuese që mesatarja e mësuesve tanë që kanë lidhje me përdorimin e teknologjisë është më e lartë se sa mesatarja e të gjithë sistemeve të marra së bashku në këtë anketim. Po ashtu na vjen mirë të shohim që përpjekjet që kemi bërë për partneritetin mes shkollës, prindërve dhe nxënësve duke nxitur modelin e shkollës qendër komunitare por dhe ndërveprimin, reflektohet si një element më pozitiv se mesatarja e sistemeve të anketuara”.
Shqipëria doli me sukses në testin ndërkombëtar TALIS, Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit, ku mësuesit shqiptarë renditen mirë në klasifikimin e vendeve të OECD.