Të hënën në orën 11:00, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, do të takojë drejtuesit e grupeve parlamentare, duke hedhur hapin e parë për ngritjen e strukturave të Kuvendit: komisionet e përhershme, këshillat dhe delegacionet parlamentare.

Para takimit, kryetarët e grupeve të opozitës, Gazment Bardhi, Tedi Blushi dhe Fatmir Mediu, do të takohen së bashku për të pasur një qëndrim të unifikuar përballë mazhorancës.

Ndërkohë që socialistët do të mbledhin grupin parlamentar në orën 10:00 për të diskutuar për nisjen e kësaj legjislature.

PS synon që në këtë mandat të ndryshojë strukturën e Kuvendit, duke krijuar 11 komisione të përhershme, krahasuar me 8 që ka pasur Parlamenti deri më tani.

Për këtë nevojitet ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, dhe mësohet se mazhoranca socialiste synon që ndryshimin e Rregullores dhe ngritjen e komisioneve t’i miratojë para votëbesimit të qeverisë në Parlament.

Ndërkaq, ditën e enjte, më 18 shtator, Kryeministri Edi Rama do të paraqesë në Parlament programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij.

Seanca për miratimin e qeverisë së re tradicionalisht është një prej mbledhjeve më të gjata të Parlamentit dhe pritet që të zgjasë dy ditë.

Pas miratimit në Parlament, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat do të betohen te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe qeveria “Rama 4” do të nisë zyrtarisht punën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu