Brenda këtij viti, rrënojat e një qyteti të humbur që kanë dalë në dritë nga gërmimet arkeologjike të një ekspedite shqiptaro-polake në Bushat të bashkisë së Vaut të Dejës, pritet të shpallen nga qeveria zonë e mbrojtur arkeologjike A dhe B. Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore në Shkodër po punon me ekspertët polak për finalizimin e dosjes.

Gjurmët zbresin deri në shekullin e gjashtë para erës sonë, por qyteti e ka arritur lulëzimin në shekujt 3 dhe 2. Ekspedita po kryen gërmime në qytetin e mesëm dhe të sipërm. Ato kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti, që shtrihet në një sipërfaqe prej 20 hektarësh.

(Të them të drejten Shqipëria, është një nga vëndet me interesante që kam vizituar gjatë karrieres time si arkeolog. Këtu kemi të bëjmë me një qytet antik ilir, nga shekulli i 4 përpara lindjes se Krishtit. Është një qytet shumë i madh në hapesirë dhe në jemi në ekspediten e 5-të, prandaj parashikoj se germimet do të kërkojnë shumë kohë për të dalë në një përfundim).

Hipotetikisht mund të bëhet fjalë për Bassanian, e datuar në fund të shekullit të katërt dhe të tretë para erës sonë nga Ardianët. Qyteti përmendet në luftërat iliro-romake të mbretit Gent dhe mendohet se mund të jetë braktisur menjëherë pas pushtimit, por arkeologët po marrin kohë në studimin e monedhave dhe artefakteve të gjetura për një datim dhe emërtim më të saktë.

Pjesa e kodrës ku sot kryhen gërmimet ka qenë lëndinë që dikur përdorej nga reparti ushtarak i Melgushës si poligon qitjeje. Kjo ka bërë që qyteti i vjetër të ketë dëmtime në disa pjesë thonë arkeologët. Aktualisht është zbuluar porta kryesore dhe muret fortifikuese me trashësi deri në 3 metra të trashë./newspower.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu