E përditshmja britanike “The Times” rekomandon për lexuesit e saj 10 nga vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri, ku mund të gjeni plazhe si në Maldive, male spektakolare dhe një vend me histori interesante.
Shqipëria, e izoluar nën diktaturën komuniste deri në vitet ’90, dikur sekret, tani është një nga vendet më emocionuese të Europës.
Më tej, “The Times” ndalet tek sugjerimi i parë në listë, ku rendit Ksamilin veçanërisht për ata që janë të magjepsur nga përshkrimet e Shqipërisë si “Maldivet e Evropës”. Ksamili duhet të jetë vendi i parë që duhet të vizitoni. Plazhet e tij kanë ujë si pasqyrë dhe aty pranë janë 4 ishuj të pabanuar, tepër unikë.
Destinacioni i dytë që sugjeron “The Times” është Parku Kombëtar i Thethit, i përshtatshëm për ata që duan shetitjet rrëzë maleve të njohura të Alpeve Shqiptare. Thethi është një vend i shkëlqyer për të parë jetën e egër dhe ujëvarat piktoreske.
E përditshmja britanike, në vend të 3 dhe të 4, rendit Tiranën dhe Beratin. Tirana, ndryshe nga Berlini apo Varshava, është shumëngjyrëshe, me tregje të shumta, sheshe dhe galeri arti të sofistikuara. Ndërsa për Beratin, “The Times” shkruan se qyteti që është pjesë e listës së UNESCO-s, ka një pamje perfekte, me shtëpitë karakteristike që zbresin nga një shkëmb drejt grykës së lumit.
Një destinacion tjetër që britanikja “The Times” e rendit në vend të 5 është kryeqendra e veriut, Shkodra, me liqenin që është perla e kurorës së qytetit, një vend i rrethuar nga plazhe, manastire dhe fshatra piktoreskë.
Në artikullin e “The Times” nuk mungojnë Saranda dhe Parku Kombëtar i Llogarasë. Saranda është një nga destinacionet bregdetare më të njohura të Shqipërisë dhe me perëndimet e diellit me pamje nga deti pranë Kalasë së Lekursit, është një destinacion spektakolar. Ndërsa për Parkun e Llogarasë, që ndodhet mes disa majave malore të vendosura mbi rivierën e bukur me plazhe unike, ia vlen të vizitohet.
E përditshmja britanike “The Times” rekomandon për lexuesit e saj edhe Gjirokastrën dhe Krujën, dy qytete historike që gjithmonë gumëzhijnë nga vizitorët e shumtë gjatë gjithë vitit, por gjatë muajve të verës arrijnë fluksin më të madh të vizitorëve nga anë e mbanë botës.
Ndërsa qytetin më të lashtë të Shqipërisë, Durrësin, “The Times” e rendit në vendin e 10 si destinacion që duhet vizituar me patjetër, duke sugjeruar amfiteatrin romak dhe pjesën historike të qytetit, por edhe plazhet e shumta që kanë frekuentim masiv gjatë stinës së verës.