Pas rruspave që shkatërruan bujtinat dhe shtëpitë tradicionale, qeveria ka kaluar në fazën tjetër të planit për kapjen e Thethit: shitjen e pronave shtetërore me çmime qesharake për klientët e pushtetit.
Më 28 tetor 2025, Ministria e Ekonomisë hapi ankandin për disa pasuri publike në qendër të Thethit – ndërtesa dhe troje me sipërfaqe totale rreth 2,800 m², me çmim bazë vetëm 7 euro për metër, ndërkohë që vlera reale e tregut është rreth 85 euro/m².
Pra, 12 herë më lirë, në një nga zonat turistike më të njohura të Shqipërisë.
Në listë përfshihen ish-bar kafe, ish-dyqan ushqimor, ish-magazinë rezervash dhe objekte të tjera publike që për dekada kanë shërbyer komunitetit lokal. Tani, ato pritet të përfundojnë në duart e biznesmenëve të lidhur me qeverinë, përmes një ankandi që sipas burimeve është vetëm formalitet.
Ky është një skandal i planifikuar: pas shkatërrimit të strukturave lokale, qeveria po shitet tokën e mbrojtur për çmime që fyejnë çdo qytetar shqiptar. Thethi, simbol i trashëgimisë kombëtare dhe pjesë e Parkut Kombëtar, po shndërrohet në një resort privat për oligarkët e afërt me pushtetin. Në një vend normal, ky vendim do të mjaftonte për hetim penal për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik ndaj shtetit. Në Shqipërinë e sotme, ai kalon si “zhvillim turistik”. Në fakt, është grabitje e pastër me vulë shtetërore.






